Ndahet nga jeta At Nikolla Marku, Prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan

Mbrëmjen e djeshme, më 19 korrik 2025, në orën 22:00, u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë At Nikolla Marku, prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Maria” në Elbasan.

Një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin ortodoks, por për të gjithë qytetin e Elbasanit që e njohu nga afër përkushtimin e tij të rrallë, shpirtin e butë dhe urtësinë që e karakterizonte në çdo hap të jetës.

Lindur dhe rritur në Elbasan, At Nikolla, i përkiste atij brezi të klerikëve që e jetuan thirrjen shpirtërore jo si titull, por si mision.

Për dekada me radhë, ai shërbeu me përkushtim dhe përulësi në Kishën “Shën Maria”, në lagjen Kala të Elbasanit, një nga institucionet më të vjetra të besimit ortodoks në vend.

E ktheu këtë kishë jo vetëm në një vend shërbese, por në një qendër të gjallë shpirtërore ku njerëzit gjenin paqe, fjalë të mençura dhe një dorë të hapur për ndihmë.

Gjithë jeta e tij ishte e lidhur me komunitetin në gëzime e në dhimbje, në festa e në periudha të vështira, At Nikolla ishte aty, i thjeshtë, i dashur dhe gjithmonë i gatshëm të dëgjonte, të këshillonte dhe të shërbente me ndershmëri. Me një etikë të lartë shpirtërore dhe morale, ai nuk e ndau asnjëherë fenë nga dashuria për njeriun.

Pritja për ngushëllime po bëhet në Kishën “Shën Maria”, aty ku ai kaloi gjithë jetën në shërbim të Zotit dhe të njerëzve.

Ndërkohë, ceremonia mortore do të mbahet sot, më 20 korrik, në orën 17:00, ku familjarë, miq, bashkëqytetarë dhe besimtarë do t’i japin lamtumirën e fundit një figure të shenjtë të qytetit.

Humbja e At Nikollës lë një boshllëk të madh, por kujtimi i tij do të jetojë gjatë, në historinë e kishës, në kujtesën e komunitetit dhe në çdo zemër që u prek nga fjala dhe shërbesa e tij.

U prehsh në paqe, At Nikolla. Qofsh i përjetshëm në kujtimet e atyre që të deshën dhe të nderuan. Drita dhe mëshira e Zotit qofshin mbi shpirtin tënd.


Shtuar 20.07.2025 08:01