Data e 5 Korrikut 2022 është caktuar si dita e festimit të përvjetorit të kurorëzimit të Mbretëreshës Elizabeth dhe vullnetarë nga i gjithë vendi do të krijojnë një paradë speciale në rrugët e Londrës.
Më 6 Shkurt 2022, Mbretëresha mbush plot 70 vite në drejtimin e vendit, duke u bërë kështu monarku që ka qëndruar më shumë në fron, ndaj dhe parada do të jetë një nga eventet më të mëdha të festimit që janë mbajtur ndonjëherë. Për të është caktuar një buxhet midis 10-15 milionë Paund i cili do të mbulojë të gjitha shpenzimet për përgatitjet marramendëse që janë konceptuar.
Dragonj të mëdhenj në madhësinë e autobusëve të Londrës, bisha sa një shtëpi tre-katëshe dhe më shumë se 5,000 ushtarakë, punonjës të shëndetit dhe performues do të jenë aty për ditën e madhe. Banda marshuese dhe shfaqje cirku do të dhurojnë spektakël, ndërsa Londra Qendrore do të marrë jetë përmes ngjyrave, teatrit të rrugës dhe kërcimit. Parada do të ketë një pjesë të veçantë për çdo dekadë të mbretërimit të Madhërisë së saj.
“Fundjava e Jubileut të Platinit është një mundësi për vendin e ripërtërirë tashmë që të shprehë optimizëm dhe vetëbesim. Do të jetë një lloj ceremonine rihapjeje për Mbretërinë e Bashkuar, pas një periudhe pasigurie dhe vështirësish,vjen si një moment bashkimi dhe argëtimi”, u shpreh Nicholas Coleridge, një nga organizatorët e eventit madhështor.