Policia e Sarandës, ka vënë në pranga një 77-vjeçar, pasi duke drejtuar zetorin për të cilin nuk kishte një leje drejtimi, aksidentoi rëndë një grua 52-vjeçe.
Uniformat Blu, bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në rrugën e fshatit Metoq. Drejtuesi i mjetit pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, por është identifikuar dhe arrestuar nga policia.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 77-vjeç, banues në fshatin Gjashtë, pasi më datë 11.04.2025, në rrugën e fshatit Metoq, duke drejtuar pa leje drejtimi një mjet bujqësor (zetor), ka aksidentuar këmbësoren P. Z., 52-vjeçe, banuese në fshatin Gjashtë, e cila si pasojë e aksidentit është dëmtuar rëndë.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, por është identifikuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Shtetasja e dëmtuar ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.