Mbyllja e TikTok-ut është një proces në disa faza. E deri tani bllokimi i aksesit është kryer vetëm për rrjetin telefonik.
Agjencia e sigurisë kibernetike tregon për Top Channel se në koordinim me Akep-in aksesi i platformës në mjete elektronike ka ndaluar prej mesnatës, teksa po vijojnë punën edhe me kompanitë e ofrimit të internetit për të realizuar mbylljen e plotë të TikTok-ut.
Saimir Kapllani, drejtor i Analizës, Riskut dhe Kontrollit, AKSK thotë: “Mbrëmë në 12 të natës është bërë i mundur që të mbyllet aksesi në të gjithë rrjetin mobile, çka do të thotë se në telefona celularë, tableta nuk është e mundur të aksesohet platforma TikTok-ut. Kjo ka qenë faza e parë, ndërkohë fazat e tjera për mbylljen vazhdojnë me rrjetin fiks. Kjo do shtrihet në nivel kombëtar si fazë tjetër që kërkon implementimin e disa masave teknike shtesë”.
Në rast të mosrespektimit të kufizimeve prej operatorëve privatë parashikohen edhe penalitete administrative. Ndonëse ndëshkimi nuk prek përdoruesit direkt, institucionet kërkojnë bashkëpunimin e prindërve për të mos lejuar fëmijët të gjejnë mënyra alternative të aksesit në Tik Tok, pasi ngrenë alarmin për sigurinë kibernetike.
“Shumica mund të mundohen të anashkalojnë këtë bllokim duke përdorur VPN, kryesisht ato falas. Ndaj dua të bëj një sensibilizim që përdorimi i tyre ka një risk shumë të madh për sa i përket sigurisë kibernetike e të të dhënave. Mund ta paralelizoj se është njësoj si të instaloni një bombë në telefonin tuaj që nuk i dihet kur mund të shpërthejë. I jepni akses pra hakerave të ndryshëm të përgjojnë të dhënat, të bëjnë transferim informacioni në serverë të ndryshëm. Gati 38% e përdorimit të tyre kemi statistikat që kanë rrjedhur të dhëna”, shton Kapllani.
Agjencia njofton më tej se qeveria shqiptare është në komunikim me kompaninë kineze për filtrimin e përmbajtjes në TikTok, për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve nga gjuha e bullizmit, shantazhit apo urrejtjes dhe kufizimi i aksesit mund të mos zgjas 12 muaj.