Në bypassin e Murrizit pjesë e rrugës së Arbrit, nuk ka probleme sa i përket ngricave apo pranisë së dëborës.
Ndonëse ky segment u përfshi nga reshjet e borës një natë më parë, por situata është ndryshe këtë të shtunë, pasi nuk ka prani të borës në rrugë.
Problem për drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në drejtim të Tiranës apo Qarkut Dibër, është bërë prania e mjegullës.
Gjatë gjithë paradites së sotme, mjegulla ka qenë e dendur duke kufizuar ndjeshëm fushëpamjen e drejtuesve të automjeteve.
Për shkak të terrenit malor, qarkullimi është bërë me shumë vështirësi.
Fatmirësisht, nga prania e mjegullës nuk ka pasur aksidente në rrugë, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, si dhe të përdorin dritat e mjegullës për të shmangur aksidente të mundshme.