Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Vlorës është shtyrë pa asnjë arsye nga kryetarja Migena Balla, por nga ana tjetër, sipas top news kjo lidhet me një zhvillim të papritur, ndonëse të lajmëruar edhe pse jo zyrtarisht dhe që ka të bëjë me mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Vlorës.
Edi Rama do t’i drejtohet qytetit bregdetar këtë të premte për t’u takuar me anëtarët e asamblesë së partisë socialiste në këtë qytet.
Mësohet se fokusi i vizitës së kreut të socialistëve Edi Rama në Vlorë do të jetë për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për marrëdhënien e partisë me Dritan Lelin dhe e këtij të fundit me këshilln bashkiak.
Lelit iu kërkua të kandidonte për deputet në qarkun e Vlorës, çka nënkuptonte largimin si kryetar bashkie dhe marrjen e një mandati si deputet, por vetë kryebashkiaku nuk e pranoi ofertën e kryeministrit Rama, duke preferuar të drejtojë bashkinë.
Por, duket se kjo kontradiktë mes palëve solli një tension deri diku edhe artificial mes Ramës dhe Lelit, ose mes këtij të fundit dhe drejtuesit politik të Vlorës Damian Gjiknuri. Në të gjitha daljet publike në Vlorë, Rama ka ironizuar Lelin, madje, duke mos e pasur asnjëherë në krah.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Gjiknuri, teksa në një aktivitet në Sazan kishte në krah nënkryetaren e Bashkisë dhe jo Lelin. Duket se marrëdhëniet tashmë janë thuajse të ngrira mes Lelit dhe degës së Partisë, që e ardhmja nuk dihet sesi do të jetë.