Feministja që nisi një fond investimi me muzikantin Bjork në kulmin e krizës financiare të Islandës në vitin 2008 dhe mbajti një fjalim në TED mbi aplikimin e “vlerave femërore” në financa, do të bëhet presidentja e re e vendit.
Halla Tomasdottir ka fituar vetëm më shumë se 34% të votave në zgjedhjet e qershorit, duke mposhtur Katrin Jakobsdottir, e cila dha dorëheqjen si kryeministre.
Bëhet e ditur se ajo do të zëvendësojë Gudni Th. Johannesson, i cili pavarësisht nga popullariteti i konsiderueshëm po largohet pas tetë vjetësh në detyrë.
Halla ishte më parë shefe ekzekutive e The B Team, një organizatë jofitimprurëse e bashkëthemeluar nga Richard Branson.
Siç raportohet, Halla kandidoi për herë të parë për presidente tetë vjet më parë, shkruan the Guardian.
Këtë herë 55-vjeçarja bëri fushatë për çështje që përfshijnë Inteligjencën Artificiale, turizmin dhe efektin e rrjeteve sociale në shëndetin mendor.
“Barazia e brezave është e rëndësishme për mua. Çështjet që kam vënë në plan të parë në fushatën time janë sepse dua që brezi i ardhshëm të marrë përsipër një shoqëri dhe një vend që u jep atyre të paktën mundësi të barabarta për ata që kemi gëzuar”, tha Halla.
Ndryshe, Halla do të bëhet presidentja e shtatë e Islandës që nga formimi i republikës në vitin 1944.
Ajo do të jetë gruaja e dytë në këtë rol pas Vigdis Finnbogadottir, e cila në vitin 1980 u bë presidentja e parë femër e zgjedhur në mënyrë demokratike në botë.
Inaugurimi do të fillojë me një shërbim fetar në Katedralen e Rejkjavik, e ndjekur nga një ceremoni në parlamentin islandez fqinj, ku Halla do të betohet përpara se t’i drejtohet kombit.
Veprimtaria, e cila fillon në orën 15:30 me orën lokale, do të mbledhë presidentë të mëparshëm, anëtarë të parlamentit dhe media.
Ndërsa presidentët islandezë zgjidhen kryetarë shtetesh, roli shihet kryesisht si ceremonial.
Megjithatë, ato luajnë një rol të rëndësishëm simbolik për kombin me rreth 400,000 njerëz, veçanërisht pas shpërthimeve të fundit vullkanike.