Zelenskyy në Katar për të biseduar për kthimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, mbërriti në Katar më 5 qershor për një vizitë zyrtare, ku do të bisedojë me liderët e Katarit për kthimin e fëmijëve ukrainas që po mbahen nga Rusia.

Zelenskyy tha se Katari “e ndihmon Ukrainën t’i kthejë fëmijët e rrëmbyer nga Rusia”, dhe se ka ndër mend të mbajë takime me sheikun Tamim bin Hamad al-Thani, për vazhdimin e punës brenda Koalicionit Ndërkombëtar për Kthimin e Fëmijëve Ukrainas dhe për një samit për paqen, i cili do të mbahet në Zvicër kah mesi i këtij muaji.

Katari ka qenë aktivisht i përfshirë në përgatitjet për samitin për paqen, dhe pritet të bëhet njëri prej zërave të Lindjes së Mesme për kthimin e njerëzve, furnizimin global me ushqim, dhe për sigurinë bërthamore dhe të energjisë, tha Zelenskyy.

Ai planifikoi edhe bisedime dypalëshe me Thanin për ekonominë dhe për çështjet e sigurisë së përgjithshme.

Zëdhënësi i Zelenskyt, Serhiy Nykyforov, tha se 107 vende dhe organizata ndërkombëtare e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e 15-16 qershorit, në të cilin Ukraina shpreson se do të fitojë mbështetje të gjerë ndërkombëtare për vizionin e saj për kushtet që nevojiten për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Ai gjithashtu konfirmoi se formula e Zelenskyt për paqe e cila përmban tri pika: sigurinë bërthamore, sigurië ushqimore dhe kthimin e fëmijëve që janë marrë me forcë nga Rusia do të theksohet në samit, dhe se Ukraina pret dialog për këto çështje.

Rusia nuk është ftuar në samitin e organizuar nga Ukraina. Moska e ka hedhur poshtë rëndësinë e këtij samiti në Zvicër, duke thënë se bisedimet për paqe pa Rusinë “nuk kanë kuptim”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se vendimet në lidhje me luftën në Ukrainë që “shpërfillin qëndrimin e Rusisë” janë “jashtë çdo realiteti”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi më 4 qershor se nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, do ta përfaqësojë SHBA-në në këtë samit. Kievi e mirëpriti këtë njoftim më 5 qershor, edhe pse i kishte bërë thirrje presidenti Joe Biden të merrte pjesë.

Më herët, Zelensky kishte thënë se, nëse Biden nuk do të merrte pjesë në samit, kjo do të nënkuptonte “duartrokitje” për liderin rus, Vladimir Putin./REL


Shtuar 5.06.2024 23:12

Tags: