Presidenti Biden zhvendos vëmendjen nga luftrat tek çështjet e brendshme

Pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara, duket se nuk ka gjasa për një zgjidhje diplomatike për luftrat në Ukrainë dhe Gaza. Në këto rrethana, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara, presidenti Joe Biden, i cili në vitin 2020 bëri fushatë me premtimin për t’u dhënë fund “luftrave të përhershme”, po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen e votuesve nga angazhimet amerikane jashtë vendit tek përparësitë e politikës së brendshme.

Izraeli po vazhdon ofensivën ushtarake në Gaza dhe një marrëveshje armëpushimi për lirimin e pengjeve me Hamasin nuk duket realiste, me gjithë përpjekjet intensive diplomatike të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, pothuajse dy vjet e gjysmë që kur filloi agresioni i Moskës, Ukraina refuzon të negociojë drejtpërdrejt me Rusinë dhe të heqë dorë nga territori i saj.

“Në dyja rastet, mund të argumentohet se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar pa menduar domosdoshmërisht për pasojat dhe tani gjendemi të përfshirë në të dyja konfliktet pa një rrugëdalje të lehtë. Ky besoj se është problemi për presidentin Biden”, thotë analistja e Qendrës Stimson, Emma Ashford.

Presidenti Joe Biden nuk ka dërguar trupa amerikane në terren në këto luftra.

“Nuk ka ushtarë amerikanë në luftën e Ukrainës. Jam i vendosur që kjo të vazhdojë, por ne qëndrojmë me vendosmëri përkrah Ukrainës”, thotë ai.

Ai shënoi një fitore të madhe në politikën e jashtme në prill, me miratimin e një projektligji dypartiak që përfshinte 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe 26 miliardë dollarë për Izraelin. Por që atëherë, presidenti e ka zhvendosur fokusin e mesazheve të tij larg luftrave.

“Nëse Biden fiton një mandat të dytë, do ta bëjë këtë duke u përqendruar tek çështjet e brendshme, jo ato ndërkombëtare. Dhe atij i duhet të fitojë terren në shtetet përcaktuese, i duhet të bëjë fushatë me çështjet me të cilat identifikohen demokratët, si aborti për shembull”, thotë Larry Sabato i Universitetit të Virxhinias.

Javët e fundit, zoti Biden ka intensifikuar fushatën, duke u përqendruar në fjalimet e tij te ekonomia dhe çështje të tjera të brendshme, përfshirë mbrojtjen e të drejtës së abortit, faljen e borxheve për studentët dhe nxitjen e prodhimit.

“Është e qartë që i po përqendrohet në çështjet që beson se janë pikat e tij të forta. Por nuk është në dorën e tij se çfarë ndodh në botë”, thotë Matt Duss, i Qendrës për Politikat Ndërkombëtare.

Por në fund të fundit, janë çështjet e brendshme ato që orientojnë programin e zotit Biden. Sipas një sondazhi të fundit, megjithëse shumë amerikanë janë të pakënaqur me luftërat, ata e shohin inflacionin si çështjen më të rëndësishme me të cilën përballet vendi./voa


Shtuar 29.05.2024 18:20

Tags: