Basha: 21 janari, nuk kam asgjë për të fshehur, nuk kam dhënë asnjë urdhër

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kritikon përpjekjen e fundit për normalizimin e punimeve të parlamentit mes deputetëve të shumicës socialiste dhe krahut mbështetës të ish kryeministrit Sali Berisha, si një bashkëpunim Rama Berisha që do të dëmtojë kryerjen e reformës zgjedhore.

Në intervistën në Zëri i Amerikës, Basha ndalet edhe në problemet e brendshme të ndarjes në Partisë Demokratike, si dhe në vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, që çështja e 21 janarit të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Zoti Basha thotë se urdhëri për të qëlluar ndaj protestuesve nuk ka dalë nga ai.

“Për çdo zhvillim në Shqipëri, standarti i ri i një kulture të re politike, që ne si Parti Demokratike aspirojmë ta ndërtojmë në dialog me gjithë shoqërinë është përgjigja ndaj një pyetjeje: A i shërben shqiptarëve dhe si u shërben shqiptarëve? Nisur nga zhvillimet e fundit në Shqipëri, mund të them që paralajmërimet tona prej kohësh kanë treguar që zoti Rama dhe zoti Berisha bashkëpunojnë për interesat e tyre, por kundër intetesave të shqiptarëve” u shpreh Basha.

Kjo është një bashkëpunim kundër reformës zgjedhore, në veçanti, tha Basha, që sipas tij, “PD ka një kohë të gjatë që ka paraqitur në komisionin e reformës zgjedhore propozime, të cilat shkojnë përtej interesave partiake, por janë në interes të qytetarëve. Të tillë janë propozimi për listat e hapura; që qytetarët të zgjedhin vet se cilin do të dërgojnë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është zhbërja ‘de facto dhe de jure’, nëse propozimi do të adoptohej, i ndryshimeve kushtetuese Berisha – Rama të vitit 2008”, thekson

Gjithashtu Kreu i PD-së, Basha është ndalur dhe në çështjen e 21 janarit, sikurse u shpreh ai, nuk ka dhënë asnjë urdhër apo udhëzim të dal prej tij në cilësinë e ministrit të Brendshëm.

“Unë kam kërkuar prej fillimit një hetim të plotë dhe transparent. Sigurisht nuk komentoj asnjë vendim gjykate. Mund të shohim madje edhe njerëz që janë akuzuar natën e 21 janarit, por që pastaj u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Është një lojë e pistë edhe me gjakun e këtyre katër viktimave të pafajshme. Dhe për këtë kam kërkuar prej ditës së parë një hetim të plotë dhe transparent, sepse unë personalisht nuk kam asgjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se në këtë rast, si në çdo rast tjetër, drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika dhe nga deklaratat politike dhe e pashfrytëzuar nga politika”.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, që a e përjashtoni çdo mundësi që një urdhër apo udhëzim të ketë dalë nga ju atë ditë?

Lulzim Basha u përgjigj shkurtimisht, Pa diskutim.


Shtuar 14.03.2024 19:41