Kryeministri spanjoll mbështet protestuesit pro palestinezë: Bombardimet në Gaza janë të papranueshme

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez shprehu sot mbështetjen e tij për dhjetëra mijëra personat që morën pjesë dje në demonstratat në favor të Palestinës, në shumë qytete të vendit.

“Ne gjithashtu jemi me të gjithë dhe me gjithçka”, tha Sanchez, gjatë një konference të Partisë Socialiste në Galicia (në veriperëndim), duke iu referuar demonstratave në shumë rrugë dhe shumë qytete në Spanjë për njohjen e një shteti palestinez dhe fundin e luftës në Lindjen e Mesme.

Mobilizimet, pas thirrjes së platformës Rrjeti i Solidaritetit kundër pushtimit të Palestinës dhe me sloganin qendror “Stop gjenocidit në Palestinë”, u zhvilluan në shumë qytete të mëdha, përfshirë Madridin, ku u regjistrua pjesëmarrja më e madhe, 25,000 persona.

“Ne padyshim dënojmë sulmet e tmerrshme të Hamasit, kërkojmë lirimin e pakushtëzuar dhe urgjent të të gjithë pengjeve në duart e Hamasit”, tha sot kreu i qeverisë spanjolle.

“Por me të njëjtën vendosmëri, ne i themi qeverisë Netanyahu se bombardimet dhe vdekja pa kriter e djemve, vajzave dhe mijëra njerëzve në Gaza nuk është e pranueshme”, shtoi ai.

“Ne kërkojmë zbatimin e një armëpushimi të përhershëm, duam që ndihma humanitare të hyjë në Gaza, duam që të mbahet një konferencë ndërkombëtare për paqen dhe njohjen e shtetit palestinez nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar”, theksoi Pedro Sanchez.

Ai shprehu mbështetjen e tij për kreun e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, një socialist spanjoll si ai, i cili mori pjesë në konferencën e Galicisë.

“Ne jemi jashtëzakonisht krenarë që Borrell ngriti zërin dhe flamurin e të drejtave të njeriut, përfshirë në Gaza dhe në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha ai.

Të premten mbrëma në Valladolid, Borrell tha se një zgjidhje me dy shtete duhet të imponohet nga jashtë që të ekzistojë paqja, duke akuzuar Netanyahun për pengimin e saj./albeu.com


Shtuar 21.01.2024 16:47