Njësoj si Rama, edhe Meloni pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e emigrantëve: S’kemi plan B!

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka dhënë një intervistë për mediat italiane ku ka folur mbi pezullimin e marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët, pasi të mërkurën (13 dhjetor), Gjykata Kushtetuese e vendit tonë mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha të cilët e konsideronin marrëveshjen si ‘antikushtetuese’.

Meloni theksoi se nuk ka asnjë plan B në këtë rast dhe shtoi se shpreson që të mos ketë një vendim që do të anulonte marrëveshjen, duke theksuar se respektonte vendimet që merr një vend sovran si Shqipëria.

Ndërsa në rast se Gjykata Kushtetuese në Shqipëri jep dritë jeshile për marrëveshjen, kryeministrja italiane u shpreh se do të ketë një përshpejtim të procedurave për ngritjen e kampeve dhe strehimin e emigrantëve.

“Sa i takon Shqipërisë, nuk di të them. Nuk mund të them se ccdo ndodhë, shpresoj që të mos ketë anulim, por nuk ndërhyj. Jam optimiste që nuk do të ketë, por nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në një vend sovran. Respektoj vendimet e një vendi sovran. Të shohim çdo të ndodhë në javët e ardhshme dhe do të bëjmë më të mirën tonë, që ta përshpejtojmë edhe më shumë nëse gjërat shkojnë shumë. Për momentin nuk kemi nevojë për një Plan B”- tha Meloni.

Edhe kryeministri Edi Rama, dy ditë më parë pranoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe tha se ishte e drejtë e saj të merrte në shqyrtim një marrëveshje ndërkombëtare./albeu.com


Shtuar 15.12.2023 19:42