Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet që do t’i miratojnë liderët në këtë samit, ndërsa draftin e saj e ka siguruar Radio Evropa e Lirë. “Këshilli Evropian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Fuqishëm dënon sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës [që ndodhën] më 24 shtator të vitit 2023. Bashkimi Evropian pret që kryesit të kapen dhe të vihen shpejt para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm”, thuhet në tekstin e draftit të konkluzioneve.
Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Në sulmin nga një grup i armatosur serbësh mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve që pasuan mes grupit të armatosur dhe policisë u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e sulmit e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Në dy pikat tjera në konkluzione, flitet për hapat për t’i ulur tensionet, si dhe për zbatimin e obligimeve që dalin nga dialogu.
“Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për shtensionim, në veçanti zhvillimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës sa më parë që të jetë e mundshme, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës. Dështimi në shtensionim [të situatës] do të ketë pasoja“, thuhet në këtë tekst.
“Këshilli Evropian shpreh keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit të saj, si dhe të marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë e me ndihmën e të dërguarit të posaçëm”, thuhet më tej të tekst.
“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë t’i zbatojnë ato, pa vonesa dhe pa parakushte. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe“, thuhet në draftin e konkluzioneve të Këshillit Evropian.
“Normalizimi i raporteve është një kusht thelbësor për rrugëtimin evropian të të dyja palëve dhe që të dyja rrezikojnë ta humbin rastin e rëndësishëm në mungesë të progresit”, thuhet në fund të pjesës së konkluzioneve kushtuar raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky draft deri në samitin e BE-së mund të pësojë edhe ndryshime varësisht nga zhvillimet që priten në kuadër të dialogut.
Kjo javë shihet si afati kur Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duke pranuar disa kërkesa dhe propozime që ua kanë paraqitur të shtunën pesë emisarë të lartë perëndimorë.
Emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit që të normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit./REL