Kryeministri i landit të Tyringjisë, Bodo Ramelow pranon se janë në “limite” për shkak të rritjes së numrit të refugjatëve. Kurse ministri i Brendshëm i landit, Maeier flet për përdorim të migracionit si mjet presioni.
Për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të refugjatëve në landin e tij Tyringji, kryeministri Bodo Ramelow ëshrë shprehur i shqetësuar.”Landi dhe komunat janë në limit”, tha politikani i majtë për gazetën “Rhenische Post”. Qendra e parë e pranimit të refugjatëve në Suhl ka kohë që pranon më shumë njerëz se sa ka kapacitete. “Normalisht aty duhet të qëndrojnë 800 vetë, por janë ndërkohë mbi 1000. Dhe vazhdojmë të kemi një fluks të fortë.”
Kërkesat e Unionit konservator për të korcuar kontrollet në kufijtë gjermanë janë refuzuar nga kryeministri i landit të Tyringjisë, Ramelow. Zona Shengen, ku nuk ka kontrolle të rregullta në kufi, duhet të jetë ende në fuqi. “Nuk sjell asgjë të nxjerrësh policinë në pyllin e Tyringjisë për qëllime promovimi.” Shumë më tepër duhet që brenda Europës të funksionojë sistemi i solidaritetit. “Dhe të gjithë ata që janë këtu, duhet që pas tre muajsh të kenë një leje pune, me qëllim që të kujdesen për veten dhe duhet.” Me këtë merr fund edhe “përralla e kërcënimit nga refugjatët.”
Fushatë e qëllimshme nga Bjellorusia dhe Rusia?
Kurse ministri i Brendshëm i landit të Tyringjisë, Georg Maier (SPD) akuzoi Rusinë dhe Bjellorusinë, se po instrumentalizojnë çështjen e refugjatëvve për të rritur presionin ndaj Gjermanisë. “Pas rritjes së numrit të migrantëve që vijnë përmes Europës Lindore fshihet një fushatë e qëllimshme e Rusisë dhe Bjellorusisë”, tha Maier për gazetat e grupit mediatik, “Funkegruppe”. Politikani socialdemokrat është shprehur, se “autokratët në Moskë dhe Minsk duan të destabilizojnë Gjermaninë, dhe përdorin migracionin si mjet presioni.”
Autoritetet gjermane kanë përcaktuar, se migrantët si ata nga Siria dhe Turqia fluturojnë në Rusi dhe pastaj vijnë të organizuar në Bjellorusi dhe përmes kësaj në Poloni dhe Gjermani. “Kaq shumë njerëz brenda një kohe kaq të shkurtër mund të vijnë vetëm të organizuar, nga diktatura si Bjellorusia apo autokraci si Rusia.” Maier e quajti këtë “instrumentalizim të qëllimshëm të migracionit nga shtete si Rusia”.