Nga Benjamin Weinthal “Fox News”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Disa raporte të fundit të bazuara tek të dhënat e shërbimeve sekrete evropiane, zbulojnë se Republika Islamike e Iranit u përpoq të anashkalonte sanksionet e SHBA-së dhe BE-së për të siguruar teknologjinë për programin e saj të armëve bërthamore me synim testimin së shpejt të armës së parë bërthamore.
Sipas Institutit të Kërkimeve të Medias në Lindjen e Mesme (MEMRI), që publikoi për herë të parë përkthime të dokumenteve të inteligjencës në faqen e tij të internetit, agjencitë e sigurisë të Suedisë, Holandës dhe Gjermanisë zbuluan të dhëna të ndjeshme gjatë 6 muajve të parë të vitit 2023 mbi programin sekret bërthamor të regjimit iranian.
Zbulimi më tronditës ishte ai nga Shërbimi i Sigurisë së Përgjithshme dhe Inteligjencës Holandeze (AVID), që arriti në përfundimin se zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i pasurimit të uraniumit në shkallën e mjaftueshme për të prodhuar armë “e afron shumë opsionin e një testi të parë bërthamor nga Irani”.
“Vitin e kaluar, Irani e vazhdoi programin e tij bërthamor. Ai vazhdoi të rrisë rezervat e uraniumit të pasuruar në nivelet 20 dhe 60 për qind. Përmes centrifugave, kjo mund të përdoret për pasurim të mëtejshëm deri në uraniumin e pasuruar 90 për qind që nevojitet për të prodhuar një armë bërthamore”- vuri në dukje raporti holandez.
Sipas raportit të shërbimit sekret AVID “Irani po shpërfill më tej marrëveshjet që janë arritur në kuadër të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA). “Dhe duke vendosur centrifuga gjithnjë e më të sofistikuara të pasurimit të uraniumit, ai po zgjeron kapacitetin e tij të pasurimit”- theksohet më tej në raport.
SHBA dhe fuqitë e tjera botërore arritën një marrëveshje (JCPOA) me Iranin në vitin 2015. Pakti i ofroi Teheranit lehtësim sanksionesh në vlerë mbi 100 miliardë dollarë, në këmbim të kufizimeve të përkohshme ndaj programit të armëve bërthamore që dyshohet se ka Irani.
Administrata Trump u tërhoq nga JCPOA në vitin 2018, sepse sipas presidentit Trump, marrëveshja nuk i ndali aspak sundimtarët e Iranit nga përpjekja për të ndërtuar armë bërthamore dhe as i dha fund aktiviteteve të tij terroriste të sponsorizuara nga ky shtet.
Thuhet se administrata Biden po synon të përsërisë një mini-version të JCPOA. “Realiteti është se Irani nuk është tërhequr në asnjë mënyrë nga përpjekjet e tij për të ndërtuar armë bërthamore. Përkundrazi, ai ka shfrytëzuar çdo mundësi për të çuar përpara aftësitë e tij teknologjike për këtë qëllim, dhe për vite me radhë e ka mashtruar komunitetin ndërkombëtar dhe ka gënjyer mbi synimet.
Në të njëjtën kohë ka punuar me shpejtësi për të arritur statusin e pragut bërthamor dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite”- shkroi Ayelet Savyon, drejtore e Projektit Mediatik të Iranit në MEMRI. Shërbimet sekrete evropiane kanë provuar se si para vitit 2015 por edhe dhe pasi u ra dakord mbi JCPOA, Irani ka vazhduar përpjekjet për ta siguruar në mënyrë të paligjshme teknologjinë e ndërtimit të armëve bërthamore, biologjike dhe kimike të shkatërrimit në masë.
Shërbimi Suedez i Sigurisë shkroi në raportin e tij vjetor të këtij vitit se “Irani angazhohet në spiunazh industrial, që synon kryesisht industrinë suedeze të teknologjisë së lartë dhe produktet suedeze, të cilat mund të përdoren në programin e armëve bërthamore”.
“Shërbimi Suedez i Sigurisë e konfirmon se Irani po kryen aktivitete kërcënuese për sigurinë në Suedi dhe kundër interesave suedeze. Shembuj të këtyre aktiviteteve janë spiunazhi industrial që synon industritë suedeze të teknologjisë së lartë, dhe grumbullimi i paligjshëm i inteligjencës që synon institucionet suedeze të arsimit të lartë.
Irani po kërkon teknologji dhe njohuri suedeze që mund të përdoren në programin e tyre të armëve bërthamore. Shërbimi Suedez i Sigurisë ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, por ne nuk hyjmë në detaje mbi këtë bashkëpunim”- tha për “Fox News” Adam Samara, zëdhënës i Shërbimit Suedez të Sigurisë.
Kur u pyet në lidhje me zbulimet e shërbimeve sekrete evropiane, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA tha për “Fox News” tha: “Ne i kemi parë raportet dhe i kemi bërë të qarta shqetësimet tona për aktivitetet bërthamore, raketore dhe konvencionale të Iranit në lidhje me armët dhe përpjekjet për blerjen e tyre në vende të tjera.
Zhvillimi i programit bërthamor të Iranit dhe shtimi i raketave balistike përbën një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicionin tonë për të penguar këto aktivitete, duke përfshirë ndalimet, kontrollet e eksporteve dhe sanksionet”.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së (IAEA) është përgjegjëse për mbikëqyrjen e programit të dyshuar të armëve bërthamore të paligjshme të Iranit. Kur u pyet në lidhje me të dhënat e shërbimeve sekrete evropiane, Fredrik Dahl, një zëdhënës i IAEA, tha për “Fox Neës”: “Në përputhje me politikën e agjencisë, ne nuk komentojmë MBI për çështje të tilla”.
Sipas një eksperti të njohur për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, raportet e inteligjencës evropiane janë të një rëndësie të madhe. “Publiku dhe më e rëndësishmja, industria duhet të alarmohet për kërcënimin e paraqitur nga Irani dhe Rusia. Irani si dhe Rusia varen shumë nga prokurimi i huaj i artikujve specifikë, por edhe teknologjia për armët e tyre bërthamore, raketore, konvencionale dhe/ose programet e dronëve.
Raportet e inteligjencës tregojnë se Irani vazhdon të përpiqet të gjejë mënyra për të përmbysur kontrollet evropiane dhe për të marrë artikujt e nevojshëm për programet e tij bërthamore dhe raketore. Shpesh ia del mbanë. Është e vështirë të injorohet se një efekt anësor fatkeq i marrëveshjes bërthamore të 2015 ishte fokusimi në rënie ndaj tij dhe shpërndarja e burimeve për zbulimin dhe parandalimin e prokurimeve të paligjshme iraniane, ku inteligjenca luajti një rol kritik. Prandaj është mirë të ketë një fokus të përtërirë ndaj Iranit”- thotë David Albright, fizikant, themelues dhe president i Institutit për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Uashington.
Albright punoi me Ekipin e Veprimit të IAEA në vitet 1992-1997 duke u fokusuar mbi dokumentet irakiane dhe aktivitetet e kaluara të blerjes së materialeve bërthamore. Në vitin 1996, ai ishte inspektori i parë joqeveritar i programit bërthamor irakian.
“Këto raporte të inteligjencës konfirmojnë se Irani është i fokusuar në vjedhjen e të dhënave teknike dhe teknologjisë ndihmëse për programet e tij bërthamore dhe raketore në Evropë. Është e vetëkuptueshme që qeveria duhet të informojë plotësisht IAEA për detajet e këtyre rasteve pasi ato mund të tregojnë aktivitete bërthamore shtesë të padeklaruara nga ana e Iranit”- thekson ai.
Edhe Zyra Federale e Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) gjithashtu kishte paralajmërime të ngjashme në raportin e saj të inteligjencës të qershorit 2023. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit luan një rol kyç në ndërtimin e programit të supozuar të armëve atomike të vendit.
Marrë me shkurtime
/albeu.com