VIDEO/ Grabitje si në filma, të maskuar dhe të armatosur, tre persona vjedhin 1 milionë euro në mes të ditës në Francë

Një grabitje spektakolare ka ndodhur në një nga argjendaritë më luksoze në qendër të Parisit.

Argjendaria është vënë në shënjestër të grabitësve të cilët kanë vjedhur bizhuteri me vlerë mbi 1 milionë euro.

Bëhet fjalë për një dyqan të Bvlgari, në sheshin Vandom, ku pas mesdite, ditën e djeshme hynë tre grabitës, që kishin mbërritur në vendngjarje me motoçikleta. Dy prej tyre ishin të armatosur dhe lënduan gjatë grabitjes edhe punonjësin e sigurimit.

Pamjet në rrjetet sociale tregonin dy motoçikleta të zeza të ndalura para argjendarisë ndërsa një person i veshur me të zeza dhe me kasketë në kokë, bënte roje. Kalimtarët ndërkohë largoheshin të panikosur pasi shihnin grabitësin e armatosur.

Pas grabitjes, të tre autorët janë larguar me shpejtësi ndërkohë që policia u vendos në kërkim të tyre.

Nuk janë bërë ende të ditura shumë detaje por mediat franceze shkruajnë se një nga autorët e grabitjes ishte plagosur në këmbë nga policia, në largim e sipër, ndërsa dy të tjerët ishin arrestuar më vonë.

I njëjti dyqan, është grabitur edhe në vitin 2021, me dëmet që në atë kohë u përllogaritën në vlerë rreth 10 milionë euro./ALbeu.com/


Shtuar 1.05.2023 09:29