Kryeministri Albin Kurti u takua me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe me përfaqësues të France Sport Expertise dhe personalitete që kanë pasur rol kyç në organizimin e Lojërave Olimpike Paris 2024.
Në qendër të bisedës ishin përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, nga bashkërendimi ndërmjet institucioneve dhe infrastruktura e nevojshme deri te mënyra e drejtimit të organizimit.
Të lidhura
None found
Në postimin e tij për takimin, Kurti bëri të ditur se morën këshilla për vendimet dhe veprimet që duhen trajtuar me përparësi. Mes tyre përmendi qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin. Sipas tij, për hapat e ardhshëm duhet të përcaktohen qartë afatet, përgjegjësitë, kostot dhe burimet e financimit.
Kurti e cilësoi Francën partnere të rëndësishme të Kosovës për organizimin e “Prishtina 2030”. Ai iu referua marrëveshjes së kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve, si dhe Deklaratës së Synimit për krijimin e një komiteti të përbashkët për lojërat. Të dyja u nënshkruan në fund të muajit korrik.





