Kryebashkiaku Erion Veliaj njëherësh kandidat i PS për Bashkinë e kryeqytetit ka zgjedhur të surprizojë vogëlushët e kryeqytetit të cilët këtë fundjavë kishin zgjedhur të vizitonin mjediset e Kopshtit Zoologjik të Tiranës.
Gjatë kësaj eksperience të bukur për fëmijët nuk kanë munguar edhe bisedat e këndshme dhe fotot që kryebashkiaku i Tiranës ka bërë me të vegjlit e qytetit.
Bashkia e Tiranës e ka konceptuar Kopshtin Zoologjik si një hapësirë ndryshe, jo vetëm për t’u njohur me kafshët dhe për t’u argëtuar, por edhe si një hapësirë edukimi e mësimi me botën e kafshëve.
Zoo Park Tirana ofron për fëmijët një hapësirë të transformuar dhe të përkryer për argëtimin e fëmijëve. Fëmijët kanë mundësi të eksplorojnë botën e larmishme të kafshëve e njëkohësisht të shfrytëzojnë aktivitetet e ndryshme që zgjasin përgjatë gjithë ditës. Aty përfshihen zona pikniku, hapësira të gjelbra të lira nga strukturat dhe të veçuara për vizitorët. Krahas këtyre, në kopsht janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë sa më të pasur eksperiencën për fëmijët dhe prindërit.