Evropa kritikohet për trajtim “çnjerëzor” të emigrantëve

Organi më i lartë për të drejtat e njeriut në Evropë e ka kritikuar trajtimin “çnjerëzor” të emigrantëve në kufijtë evropianë, veçanërisht në kufirin e jashtëm të Bashkimit Evropian.

Emigrantët kishin pësuar “grushte, shuplaka, goditje me shkopinj dhe sende të tjera të forta… nga policia ose rojet kufitare”, thuhet në raportin vjetor të Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës (CPT), të publikuar të enjten, më 30 mars.

“U përdorën edhe forma të tjera të trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues, si gjuajtja e plumbave pranë trupave të njerëzve ndërsa ata ishin të shtrirë në tokë”, thuhet më tutje në këtë raport.

Në raport theksohet se disa taktika të tjera përfshinin “shtyrjen e tyre në lumenj (ndonjëherë me duart ende të lidhura), heqjen e rrobave dhe këpucëve dhe detyrimin të ecin zbathur dhe/ose me të brendshme dhe, në disa raste, edhe plotësisht të zhveshur përtej kufirit”.

CPT-ja tha se ishte përballur me “një numër në rritje” të njerëzve që pretendonin se ishin larguar nga kufiri evropian me forcë.

“Shumë vende evropiane përballen me sfida shumë komplekse migracioni në kufijtë e tyre, por kjo nuk do të thotë se ata mund të shpërfillin detyrimet e tyre ndaj të drejtave të njeriut. Largimet me forcë janë të paligjshme, të papranueshme dhe duhet të marrin fund”, tha kreu i CPT-së, Alan Mitchell.

Ky komitet i kishte vizituar pikat e policisë së rregullt dhe asaj të kufirit, dhe rojës bregdetare, qendrat e paraburgimit dhe zonat e transitit në rrugët kryesore të migracionit për në Evropë.

CPT-ja u bëri thirrje vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që të garantojnë të drejtat e emigrantëve duke regjistruar secilin individ, duke u ofruar atyre vlerësime mjekësore dhe cenueshmërie dhe duke u ofruar mundësinë e aplikimit për azil.

“Arrestimi duhet të përdoret vetëm si masë e fundit”, thuhet gjithashtu në raportin e publikuar.

Këshilli i Evropës përbëhet nga 46 vende. Rusia ishte përjashtuar pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës vitin e kaluar, por ajo mbetet palë e Konventës Evropiane për Parandalimin e Torturës.

Emigrantët mbeten çështje diskutimi në Bashkimin Evropian që kur më shumë se një milion njerëz kishin mbërritur në Evropë gjatë krizës së refugjatëve në vitet 2015-16.

Numri i përpjekjeve të emigrantëve për të hyrë në Evropë arriti në 330.000 në vitin 2022, 64 për qind më shumë sesa një vit më parë, tha agjencia kufitare e BE-së, Frontex./rEL/


Shtuar 30.03.2023 13:42