Dorëzohet rezoluta në Kongresin Amerikan për sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë: Irani të japë llogari! (FOTO LAJM)

Kongresmenët amerikanë Ritchie Torres, Robert Aderholt, Jim Himes dhe Lisa Mc.Clain kanë dorëzuar në Kongresin Amerikan rezolutën që dënon sulmet kibernerike të Iranit ndaj Shqipërisë.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ka falënderuar kongresmenët, ndërsa shton se është thelbësore që Irani të japë llogari për veprimet e tij.

“Mirënjohje për Kongresmenët Ritchie Torres Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa Mc.Clain për dorëzimin e rezolutës që dënon sulmet kibernetike kundër Shqipërisë. Është thelbësore që Irani të japë llogari për veprimet e tij.  Mirëpresim mbështetjen e Kongresit të SHBA-ve dhe përgëzojmë punën e Grupit që mbulon Shqipërinë”, shkruan ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.

Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.

“Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, deklaroi pak ditë më parë në një intervsitë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë./albeu.com/