Atentati në Shkodër: Policia arreston vrasësin që u plagos, dëshmia e kushëririt: Pse e çova për mjekim në Lezhë

Më 3 janar, rreth orës 19:00, është dërguar në spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas është dërguar drejt Tiranë për ndërhyrje më të specializuar, Vinçens Piroli, 34 vjeç, banues në Sanxhak,  Kurbin,  i plagosur me armë zjarri.

Atentati me 2 plumba ndaj 34-vjeçarit mbetet ende mister. Në dëshminë e tij ai ka deklaruar se është qëlluar me pistoletë me silenciator nga pas, teksa ishte duke ecur.

Piroli, mëngjesin e sotëm është arrestuar sepse ndaj tij ka qenë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi dyshohet se në korrik të vitit 2021 ka ekzekutuar në Ulqin Momcillo Gjurishic, në bashkëpunim me  Dorian Lalën.

Shoqërimi në polici dhe dëshmia e kushëririt të Pirolit

Pas arrestimit të Pirolit, policia ka shoqëruar kushëriri i tij në komisariat, Mark Nika. Ky i fundit ka shoqëruar 34-vjeçarin në spital pas plagosjes dhe ka sqaruar pse e ka çuar te ai i Lezhës jo në Shkodër.

“Jemi nisur nga Lezha për në Shkodër, pasi Vinçensi më tha se do të takonte një person. Kemi mbërritur në Shkodër rreth orës 18:30. Në hyrje të urës së Bahçallekut që është edhe hyrja e Shkodrës Vinçensi është ulur në tokë dhe është futur në një rrugë dytësore. Aty kishte edhe një xhami.

Unë e kam pritur në makinë. Papritur kur erdhi dikush e kishte plagosur. Unë nuk e di as se kush e ka plagosur dhe as arsyen sepse nuk më ka treguar.

Pastaj e kam dërguar ashtu të plagosur tek spitali i Lezhës, sepse nuk donte ta çoja në Shkodër, për shkak se kishte frikë se mund t’i ndodhte ndonjë gjë.

E kam çuar në spitalin e Lezhës dhe e kam lënë aty. Nuk e kam idenë se kë ka takuar dhe se kush e ka plagosur”, ka thënë Nika.

Kush është Piroli?

Vinçesk Piroli rezulton të jetë person në kërkim ndërkombëtar. Piroli kërkohet nga autoritetet e Malit të Zi për një vrasje të ndodhur aty në Korrik të vitit 2021 në Ulqin ku u vra Momçillo Gjurishiq. Për këtë ngjarje, policia malazeze shpalli në kërkim ndërkombëtar Vinçes Pirolin dhe Dorjan Lalën, si persona të dyshuar.

Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor po vazhdojnë kontrollet intensive, këqyrjen e kamerave, identifikimin e personave të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrjet dhe daljet e qarkut të Lezhë dhe në bashkëpunim me DVP Shkodër punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes./albeu.com


Shtuar 4.01.2022 15:01