Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka kaluar momente të veçanta me fëmijët e bashkatdhetarëve shqiptarë në Skoci, të cilët e mbështesin Kombëtaren e Kosovës edhe pse jetojnë larg atdheut.
Mes fëmijëve që takoi ishte Tiar Krasniqi. Talenti i ri ka tërhequr vëmendjen e gjigantit skocez Celtic dhe tashmë është pjesë e akademisë së klubit.
Të lidhura
None found
Në një postim në rrjetet sociale, Ademi vlerësoi lidhjen që këta fëmijë mbajnë me Kosovën dhe rolin e prindërve e të gjyshërve në kultivimin e dashurisë për vendin. Ai tha se është kënaqësi e veçantë të shohë fëmijët e bashkatdhetarëve të rriten me këtë dashuri dhe ta ruajnë lidhjen me Kosovën, pavarësisht se ku jetojnë.
Ademi shprehu shpresën që Tiari, i cili sot tregon dashurinë për Kosovën, një ditë ta dëshmojë atë edhe në fushë me fanellën e Kombëtares dardane.
Sipas presidentit të FFK-së, çastet kur fëmijët qëndrojnë pranë futbollistëve të Kosovës janë gjithnjë të veçanta. Ai tha se ato i japin më shumë motiv për të punuar që talentet, kudo që rriten, ta ndiejnë Kosovën si shtëpinë e tyre.








