Një 19-vjeçare që po trajnohej në Marinën Mbretërore britanike është dënuar pa u dërguar në burg për ngacmimin seksual të katër rekruteve femra. Ajo i ndiqte vajzat deri në dushe dhe në shtrat.
Able Seaman Lacey White u dënua nga Gjykata Ushtarake e Bulfordit në Wiltshire, sipas Daily Mail. Gjykata e cilësoi sjelljen e saj si “obsesive”, ndërsa, sipas akuzës, viktimat ndiheshin “të pambrojtura” gjatë trajnimit bazë në qendrën HMS Raleigh në Cornwall.
Të lidhura
None found
Gjatë gjyqit u tha se White kishte ndjekur nëpër bazë një rekrute 17-vjeçare. Pasi e quajti “good girl” dhe “e bukur”, ajo e preku në zonën intime, duke e sulmuar seksualisht.
Në një tjetër rast, White ndoqi një rekrute në bllokun e dusheve dhe zuri dushin pranë saj, ndonëse 9 dushe të tjera ishin të lira. Prokurori tha se, kur vajza ishte e përkulur, White ia afroi pjesën e pasme të trupit për rreth pesë sekonda.
Akuzat përfshinin edhe prekjen e gjoksit të një rekruteje tjetër, përpjekjen për të hyrë në tualetin që ajo po përdorte dhe këndimin e këngëve me përmbajtje seksuale drejtuar saj.
Një nga viktimat deklaroi se në atë kohë ishte nën moshë dhe priste të ishte e sigurt në mjedisin e trajnimit. Ajo tha se përvoja i kishte ndikuar shëndetin mendor dhe se, megjithëse i kishte besuar Marinës Mbretërore për ta mbrojtur, nuk mund të rifitonte ndjenjën e sigurisë dhe pafajësisë që kishte më parë.
White, e cila është larguar tashmë nga ushtria, pranoi fajësinë mëngjesin e gjyqit për dy sulme seksuale dhe dy akuza për sjellje të turpshme. Avokati i saj, Ben Thompson, tha se ajo kishte hyrë në Marinën Mbretërore me shpresën për të krijuar miqësi të përjetshme, por kishte “keqkuptuar sinjalet sociale”. Sipas tij, White është diagnostikuar me autizëm dhe ka nisur të marrë antidepresivë.
Gjykata e dënoi me një urdhër komuniteti prej 18 muajsh, 160 ditë punë të papaguar brenda 12 muajve dhe detyrimin për t’u paraqitur në polici për 5 vjet si autore e veprave seksuale.
Gjykatësi e përshkroi sjelljen e White ndaj viktimave si përçarëse, poshtëruese dhe të padrejtë. Ai tha se ajo i kishte shënjestruar qëllimisht dhe se, edhe pse neurodiversiteti ishte marrë parasysh, White e dinte çfarë po bënte dhe se veprimet e saj ishin të papranueshme. Gjykatësi shtoi se, po të ishte ende në ushtri, ajo do të ishte shkarkuar menjëherë.







