Basha: Nevoja për ndryshim i tejkalon kufijtë e partive politike

Kreu i PD, Lulzim Basha ka theksuar se domosdoshmëria për ndryshim, tejkalon çdo simpati politike për zgjedhjet e 25 prillit.

Gjatë intervistës në emisionin Real Story, Basha siguron se kjo domosdoshmëri për ndryshim ka depërtuar edhe tek vetë aktivistët e PS.

Ai thotë se koalicioni opozitar që nesër do të jenë në qeveri e ka marrë seriozisht dhe do të sjellë ndryshimin dhe zgjidhjet që kërkojnë qytetarët.

Lulzim Basha: Opozita, koalicioni, qeverisja e nesërme e ka marrë me seriozitet detyrën. Ne kemi ardhur tek qytetarët me zgjidhje që ata meritojnë për të bërë të mundur ndryshimin që ata kërkojnë dhe tema kryesore sot në Shqipëri doni s’doni ju, dua s’dua unë, do s’do Rama, është ndryshimi. Domosdoshmëria për ndryshim Ju siguroj tejkalon çdo  simpati politike. Ka depërtuar thellë jo tek votuesi i Partisë Socialiste  dhe kjo është diçka që ne nuk e fshehim dot  edhe në ditët e ardhshme, por ka depërtuar aktivistët e Partisë Socialiste. Do ta shohësh dhe do ta dëgjosh shumë fort me 25 prill. Të siguroj që shqiptarët masivisht janë të bindur që e vetmja mënyrë  për të ecur përpara është ndryshimi dhe e dyta që më mbush me shpresë dhe besoj do t’ju mbushë edhe juve me shpresë është fakti që si pjesë të ndryshimit shohin procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimit Europian.


Shtuar 8.04.2021 22:32

Tags: , ,