Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Paris, ku është takuar me disa figura dhe përkrahës të vendit. Takimi u zhvillua një ditë përpara hapjes së Forumit të Paqes.
Kurti bëri të ditur se bisedimet përfshinë zhvillimin ekonomik dhe përparimin demokratik, investimet në siguri e mbrojtje, si dhe integrimin euroatlantik të Kosovës. Në fokus ishte gjithashtu aktgjykimi i 16 shtatorit dhe përpjekjet për ta korrigjuar atë në apel.
Të lidhura
None found
Në postimin e tij, Kurti shprehu mirënjohje për miqtë e Republikës së Kosovës, me të cilët u takua në kryeqytetin francez përpara nisjes zyrtare të forumit.
Mes të pranishmëve ishte Alain Richard, ish-ministër i Mbrojtjes dhe mbështetës i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 për të ndalur krimet e luftës dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga aparati shtetëror serb.
Kurti takoi edhe Gilles Pernet, oficer ushtrie dhe ish-administrator i lartë në Departamentin e Çështjeve Strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes. Pernet është bashkautor, së bashku me Sébastien Gricourt, të librit “Kosovo: récits sur la construction d’un État”; Gricourt u cilësua nga Kurti si mik dhe përkrahës i çmuar i Republikës së Kosovës.
Pjesë e takimit ishte Véronique Nahoum-Grappe, antropologe dhe studiuese, puna kërkimore e së cilës përqendrohet te dhuna seksuale në luftëra dhe konflikte. Ajo është angazhuar për Kosovën që nga vitet ’90 dhe ka shkruar librin “Kosovo: un drame annoncé”. Nahoum-Grappe është e bija e filozofit dhe sociologut Edgar Morin.
Takimi përfshiu gjithashtu Frédérique Duversin, drejtoreshë të Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris. Ajo mbështet popullin dhe shtetin e Kosovës që nga dekada e fundit e shekullit të kaluar dhe ka promovuar kulturën e vendit, si dhe ka përkrahur studentët, artistët dhe artin kosovar.
Me Kurtin u takua edhe Florence Hartmann, gazetare dhe ish-korrespondente e Le Monde, e njohur për ekspertizën në drejtësinë ndërkombëtare dhe Ballkanin Perëndimor. Ajo ka qenë këshilltare dhe zëdhënëse e ish-kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë dhe është autore e disa librave, mes tyre “Milosevic, la diagonale du fou”.
Sipas Kurtit, në biseda u trajtuan edhe planet për mandatin e ri qeverisës dhe roli i rëndësishëm i Francës në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.







