Një burrë hyri me ekskavator në Qendrën e Zyrave Qeveritare të Distriktit Fengdong, në provincën Shaanxi të Kinës, dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale. Incidenti zgjati afro një orë.
Sipas Al Jazeera-s, ai goditi me mjetin e rëndë hyrjet, fasadat, dyert prej xhami dhe pjesë të tjera të kompleksit. Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, ekskavatori shihet duke lëvizur nëpër ambientet e institucionit, ndërsa të pranishmit e ndiqnin nga larg.
Të lidhura
None found
U dëmtuan disa hyrje dhe pjesë fasadash. Te Ndërtesa 1, goditjet prekën shkallët e hyrjes, tabelën kryesore dhe dyert prej xhami. Dëme pati edhe në pjesën e pasme të ndërtesës dhe në objekte të tjera; në total, incidenti preku të paktën gjashtë pjesë të kompleksit.
Ngjarja shkaktoi panik mes punonjësve dhe qytetarëve, të cilët u detyruan të largoheshin me urgjencë nga ndërtesat. Një punonjës i qendrës u tha mediave kineze se evakuimi nisi menjëherë sapo u kuptua sa serioze ishte situata. Ai tregoi se të gjithë ishin shumë të frikësuar dhe se askush nuk guxoi të ndërhynte për ta ndalur burrin.
Sipas dëshmive, dëmtimet vazhduan deri kur burri ndaloi ekskavatorin. Më pas ndërhynë forcat speciale të policisë dhe e neutralizuan. Një tjetër punonjës tha se në operacion morën pjesë rreth 20 efektivë të forcave speciale.
Al Jazeera raporton se një pistë e mundshme për motivin është një mosmarrëveshje mbi kompensime financiare që dyshohet se u detyroheshin banorëve të fshatrave përreth. Autoritetet kineze nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë informacion dhe motivi i saktë mbetet nën hetim.
Pas incidentit, policia rrethoi zonën dhe nisi të mblidhte prova për të dokumentuar dëmet e për të sqaruar rrethanat. Puna e qendrës qeveritare u pezullua përkohësisht, ndërsa disa shërbime filluan të riktheheshin gradualisht gjatë pasdites. Deri në raportimet e fundit, nuk kishte informacion zyrtar për persona të lënduar.






