Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, u takua sot me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Michalis Rokas. Sipas ministrit, biseda u përqendrua te ecuria e reformave në drejtësi dhe përparësitë në procesin e integrimit evropian.
Në këtë takim, Rokas i paraqiti Shasivarit Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, duke u ndalur veçanërisht te vlerësimet dhe rekomandimet për drejtësinë.
Të lidhura
None found
Shasivari tha se puna dhe përpjekjet për zbatimin e reformave kanë sjellë rezultate. Sipas tij, kjo vërehet edhe te vlerësimet e Komisionit Evropian, të cilat janë përmirësuar në krahasim me raportin e vitit të kaluar.
Ai i cilësoi vlerësimet pozitive si dëshmi të punës së kryer deri tani, por edhe si nxitje e përgjegjësi shtesë për të vijuar me të njëjtin përkushtim. Ministri theksoi forcimin e sundimit të ligjit, sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe ngritjen e institucioneve më efikase e më të përgjegjshme.
Shasivari shkroi se kishte shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe kishte rikonfirmuar angazhimin për të përmbushur rekomandimet e Komisionit Evropian dhe detyrimet që rrjedhin nga Agjenda Reformuese. Ai tha se do të vijojnë reformat konkrete dhe puna për rezultate të qëndrueshme, me synimin për një drejtësi më efikase, institucione më të forta dhe një të ardhme evropiane për qytetarët.








