Berisha: Protestat e qindra mijëra shqiptarëve kanë tronditur narkoshtetin, Rama po kopjon modelin e Beogradit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e drejton Shqipërinë sipas një modeli të ngjashëm me regjimin e Beogradit. Sipas tij, protestat e qytetarëve dhe rezistenca e opozitës kanë lëkundur themelet e pushtetit.

Gjatë takimit me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, Berisha e përshkroi qeverinë si një regjim autoritar. Ai deklaroi se shteti ligjor është zëvendësuar me atë që e cilësoi “narkoshtet”.

Të lidhura

None found

Berisha tha se qeveria po godet lirinë e shprehjes dhe po përpiqet të kufizojë debatin publik. Në vlerësimin e tij, mënyra e qeverisjes ka sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

“Unë dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime autoritare, diktatoriale, mafioze, të pakonceptueshme ndaj fjalës së lirë, ndaj debatit në mbrojtje të kreut të organizatës kriminale, në mbrojtje të Edi Ramës, i cili është autor krimesh monstruoze, i cili Shqipërinë, vend anëtar të NATO-s, Shqipërinë, vend me orientim të fuqishëm europian, shtetin ligjor e zëvendësoi me shtetin e mafies, me narkoshtetin dhe po e zbraz çdo muaj e më shumë”, deklaroi Berisha.

Edhe pse, sipas tij, qeveria ka vendosur nën kontroll institucionet, kreu i PD-së pretendoi se protestat qytetare dhe qëndrueshmëria e opozitës kanë dobësuar pozitat e kryeministrit.

“Por, në qoftë se Edi Rama dhe mafia e pushtetit vendosin në këtë vend për çdo gjë, falë përkushtimit të madh të demokratëve dhe të qytetarëve shqiptarë, themelet e narkoshtetit janë të lëkundur sot më shumë se kurrë”, u shpreh ai.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e krahasoi drejtpërdrejt qeverisjen e Tiranës me zhvillimet politike në Serbi. Ai pretendoi se pushteti i Edi Ramës po ecën në të njëjtat hapa me Beogradin.

“Sot ka një regjim në shkërmoqje në Europë që po ndjek hap pas hapi regjimin e Beogradit, dhe ky është regjimi i Tiranës”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha vlerësoi qytetarët dhe demokratët që kanë marrë pjesë në protesta, duke thënë se qëndresa e tyre ka ndikuar edhe në qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj qeverisë shqiptare.

“Dhe këtu, kanë një meritë të madhe të gjithë ata që qëndruan, nuk u përkulën. Të gjithë ata që me protestat e tyre, dëshmuan se Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje të lira por farsë elektorale. Miqtë tanë në Europë dhe në botë, të cilët e gozhduan atë, e damkosën atë në një seri rezolutash të organizatave partiake më të fuqishme ndërkombëtare, në të cilat edhe ne jemi të anëtarësuar”, tha Berisha.

Kryedemokrati u ndal më tej te protestat e nisura në fillim të muajit qershor, të cilat i cilësoi si një prej mobilizimeve më të mëdha qytetare që ka njohur vendi.

Sipas Berishës, zemërimi qytetar lidhet me korrupsionin, varfërinë, emigrimin e shqiptarëve dhe mungesën e besimit te institucionet.

“Pikërisht, në sfondin e zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin, në sfondin e vjedhjes dhe plaçkitjes së shqiptarëve më shumë se çdo pushtim tjetër, e varfërimit dhe mjerimit të tyre, në sfondin de fakto të dëbimit të tyre nga Shqipëria me kushtet, për kushtet e kalkuluara. Shpërtheu në fillim të qershorit, protesta popullore më e madhe, më gjigante, më e bukur, më madhështore që Shqipëria ka njohur në tërë historinë e saj”, deklaroi ai.


Shtuar më 4.11.2026 20:28