DETAJET/ Vrasja e Xhuljano Bullarit në Vlorë, 25-vjeçari nuk e ka pritur se do qëllohej

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas vrasjes së 25-vjeçarit në Vlorë.

Kujtojmë Xhuljano Bullari, 25 vjeç, u gjet i vrarë të shtunën në mëngjes në qytetin e Vlorës. Trupi i pajetë u pikas nga qytetarë të rastit disa kilometra larg fshatit Babicë, brenda një mjeti tip Fiat Punto.

25-vjeçari është qëlluar me tre plumba, njëri prej të cilëve në kokë që i ka shkaktuar edhe vdekjen.

Informacionet tregojnë se referuar të dhënave nga grupi hetimor, Xhuljano nuk e ka pritur se do të qëllohet, kjo sipas ekspertizës, gjykuar nga pozicioni i kokës.

Nisur nga fakti, hetuesit mendojnë se 25-vjeçari ka arritur aty i shoqëruar nga persona të njohur.

Po ashtu, ekspertiza mjeko-ligjore dyshon se 25-vjeçari ka ndërruar jetë rreth orës 21:00 të darkës.

Shkaqet e vrasjes mbeten mister, ndërsa i riu kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, ku kishte vuajtur një dënim për transport të paligjshëm të disa sirianëve.

Mësohet se grupi hetimor po pret dëshminë e babait, me arsyen se mund të ndihmoj në hetimin e vrasjes.

Babai i 25-vjeçarit është shprehur se i biri është larguar nga shtëpia në Babrru të Tiranës rreth orës 18:00-19:00 të pasdites, si zakonisht për të pirë kafe.

“Nuk dinim të kishte konflikte, priste të ikte në Gjermani te i vëllai, pasi donte të largohej nga Shqipëria. Më herët ka bërë 2.5 vite burg për dhënie ndihme në kalim të paligshëm të kufirit. Pasi ishte arrestuar në Fier. Nuk kishte asgjë që ta lidhte me Vlorën”, është shprehur ai.

Viktima është identifikuar nga nëna e tij në morgun e qytetit./albeu.com


Shtuar 21.08.2021 21:45