Gazetari Kreshnik Gashi ka shprehur kritika për mënyrën se si po trajtohet rasti i Arlinda Zekajt. Ai tha se, edhe pse çështja është e rëndësishme dhe janë kërkuar llogari, prokurori ende nuk e ka marrë në pyetje dëshmitarin e parë.
Gjatë emisionit Debat Plus, Gashi ngriti shqetësime lidhur me grumbullimin e provave në rastet e dhunës në familje. Sipas tij, hetimet shpesh bazohen kryesisht në deklaratat e palëve, ndërsa forenzika nuk e dokumenton mjaftueshëm vendin e ngjarjes.
Të lidhura
None found
Si shembull ai solli rastin e Arlinda Zekajt, e cila kishte raportuar se bashkëshorti ia kishte hedhur rrobat nga makina e larjes. Megjithatë, policia nuk e kishte ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe as nuk kishte fotografuar provat.
“Provat po mbesin deklarata. Forenzika nuk thirret fare, dhe kjo nuk ndodh vetëm në këtë rast, por në shumicën e rasteve të dhunës në familje”, u shpreh Gashi.
Ai vuri në dyshim edhe arsyetimin për caktimin e paraburgimit. Një ndër shkaqet e përmendura, tha ai, është rreziku që të ndikohet te dëshmitarët, ndonëse dëshmitari i parë ende nuk është intervistuar.
Gashi theksoi se mungesa e dokumentimit të provave fizike dhe zvarritjet në hetime e bëjnë më të vështirë trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
“Mënyra se si po trajtohen këto raste është skandaloze”, deklaroi ai.







