Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se rezultati i zgjedhjeve të 25 tetorit në Serbi nuk e kishte befasuar. Sipas tij, lista studentore fitoi përballë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në emisionin “Këndi i Debatit”, Rashiq tregoi se për zgjedhjet kishte biseduar javën e kaluar me disa ambasadorë dhe u kishte parashikuar se lista studentore do të dilte fituese.
Të lidhura
None found
“Rezultatin e prisja. Të hënën dhe të martën e javës së kaluar takova disa ambasadorë dhe u thashë se lista studentore do të fitonte me 52.4 për qind, ndërsa Vuçiqi nuk do të merrte më shumë se 40 për qind”, deklaroi Rashiq.
Ai tha se të njëjtin parashikim ia kishte përcjellë edhe kryeministrit të Kosovës: lista studentore do të siguronte mbi 50 për qind të votave, kurse Vuçiqi jo më shumë se 40 për qind.
Rashiq foli edhe për mundësinë që përfaqësuesit e listës studentore në Serbi ta njohin Kosovën. Sipas tij, një hap i tillë nuk pritet të ndodhë menjëherë, por mund të vijë pas bisedimeve afatgjata dhe zgjidhjeve strukturore në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ministri vuri në dukje rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve të arritura deri tani, përfshirë zotimet për të mos penguar zbatimin e tyre.
“Unë shoh një derë të hapur. E di se nuk e njohin Kosovën; për gjërat e tjera nuk kam njohuri. E di që janë paqësorë dhe nuk janë kriminelë. Jam i bindur se është më mirë të bisedohet një mijë ditë sesa të ketë një ditë luftë”, u shpreh Rashiq.
Ai theksoi se vijimi i dialogut dhe përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve paqësore kanë rëndësi për të ardhmen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.






