Klodiana Lala: Rasti i Vlora Hysenit duhet të hetohet thellësisht; Rama duhej të jepte dorëheqjen

Në emisionin “Prime News24” në News24, gazetarja Klodiana Lala foli për çështjen e Vlora Hysenit, duke e përshkruar atë si një rast që kërkon hetim të plotë dhe që, sipas saj, tregon dështimin e institucioneve shqiptare.

Lala tha se hetimi duhet të sqarojë mënyrën se si ka vepruar Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), të cilit i takon përgjegjësia për mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Sipas saj, përgjegjësi ka edhe kryeministri Edi Rama, pasi ai e emëroi Hysenin në krye të shërbimit.

Të lidhura

None found

Gazetarja u shpreh se arrestimi i ish-drejtueses së SHISH-it, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, duhej të ishte pasuar nga dorëheqja e kryeministrit.

“Ndoshta deri më 15 dhjetor do të kemi emrin e gjykatësit që do të trajtojë çështjen. Rasti i Vlora Hysenit kërkon një hetim të thelluar dhe është dështim i të gjitha institucioneve. Së pari, është dështim i zotit Rama, që solli një person të pacertifikuar në krye të SHISH-it. Së dyti, duhet kuptuar gjendja e këtij institucioni, që duhej të garantonte sigurinë kombëtare. Mendoj se kjo çështje do të zbulojë shumë për mënyrën se si ka funksionuar shteti shqiptar. Arrestimi i shefes së SHISH-it, pavarësisht se është në ‘arrest shtëpie’, duhej të kishte sjellë dorëheqjen e kryeministrit të vendit. Zonja Balluku dyshohet për korrupsion, por për ish-shefen e Shërbimit Informativ Shtetëror ka dyshime se ka nxjerrë informacion sekret, ka ndihmuar një person të krimit të organizuar që është në arrati dhe, sipas pretendimeve të SPAK-ut, ka vepruar në interes të një personi të dyshuar për krim të organizuar. Nuk e kuptoj pasivitetin e Presidentit dhe të kryeministrit, që e kanë lënë Shërbimin Informativ Shtetëror pa drejtues. Është çmenduri. A është presidenti në detyrë? Çfarë bën?”, tha ndër të tjera Klodiana Lala.