Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) bëri të ditur se Arlinda Zekaj-Sylaj kishte qenë nën urdhër mbrojtjeje gjatë gjithë periudhës.
Inspektimi në Gjykatën Themelore në Pejë gjeti se vendimet për mbrojtjen e saj i ishin dërguar Policisë së Kosovës për zbatim. Aktakuza ndaj bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, ishte pranuar në gjykatë më 26 tetor në orën 08:56, pra pas vrasjes së saj.
Të lidhura
None found
Kontrolli në gjykatë u kërkua me urgjencë nga kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, më 26 tetor. Njësia për Inspektim Gjyqësor ia dorëzoi Këshillit raportin përfundimtar më 28 tetor.
Sipas njoftimit të KGJK-së, dokumentet e lëndës tregojnë se Gjykata Themelore në Pejë e pranoi më 7 shtator 2026 kërkesën për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje dhe vendosi për të po atë datë.
Kundërshtimi i paraqitur nga Arlinda Zekaj-Sylaj dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kishte të bënte vetëm me pjesën e aktvendimit për besimin e fëmijës dhe alimentacionin. Gjykata e aprovoi kërkesën përmes aktvendimit të 16 tetorit, për të cilin, sipas KGJK-së, palët nuk ushtruan ankesë.
“Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se, pala mbrojtëse Arlinda Zekaj-Sylaj, gjatë gjithë kohës ka pasur të caktuar Urdhrin për mbrojtje”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
KGJK-ja sqaroi se në këtë çështje palë ishin vetëm Arlinda Zekaj-Sylaj dhe bashkëshorti i saj, Jeton Sylejman Sylaj. Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen, nuk figuron në asnjë nga shkresat e kësaj lënde, sipas institucionit.
Këshilli njoftoi gjithashtu për kërkesën që e ndjera ia kishte dërguar më 17 shtator kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë. Ajo kishte pretenduar se gjyqtari i çështjes kishte marrë vendim në mënyrë të kundërligjshme dhe jashtë afateve ligjore.
Kryetari i gjykatës, sipas KGJK-së, i kërkoi sqarime gjyqtarit po atë ditë dhe mori përgjigje. Më 20 tetor, Arlinda Zekaj-Sylaj mori një përgjigje me shkrim, ku i bëhej e ditur se çfarë veprimesh ishin ndërmarrë.
Këshilli hodhi poshtë raportimet se kryesuesi Thaqi kishte pranuar kërkesë nga e ndjera. Kontrolli i regjistrave fizikë dhe i postës elektronike zyrtare, thuhet në njoftim, nuk evidentoi asnjë kërkesë të saj të pranuar nga ky institucion deri më 28 tetor.
KGJK-ja deklaroi se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë, përfshirë masa të mundshme ndaj personave për të cilët vërtetohet se kanë vepruar ose nuk kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra të dielën. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, të cilin policia e arrestoi mbrëmë vonë.







