Ballkani është shpallur fitues me rezultat zyrtar 3-0 ndaj Vushtrrisë, pasi ndeshja mes tyre nuk u luajt për shkak të bojkotit të futbollistëve vendas.
Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) e mori vendimin dhe e bëri publik të mërkurën, duke mbyllur çështjen e takimit të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Lojtarët e Vushtrrisë nuk pranuan të zbrisnin në fushë, duke kundërshtuar detyrimet e papërmbushura nga kryesia e klubit. Për këtë arsye, përballja me Ballkanin e Suharekës, e planifikuar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, nuk u zhvillua.
Sipas vendimit, pas vlerësimit të rrethanave dhe rregullave për mbarëvajtjen e garave, Komisioni i Garave konstatoi se plotësoheshin kushtet për regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar.
“Duke pasur parasysh gjendjen faktike të konstatuar dhe detyrimin për zbatimin e rregullave që përcaktojnë zhvillimin e rregullt të garave, Komisioni ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet për regjistrimin e ndeshjes me rezultat zyrtar”, thuhet në vendim.
Pas marrjes së tri pikëve, Ballkani ka 16 pikë nga 11 ndeshje. Vushtrria, ndërkaq, vazhdon të jetë në fund të tabelës me vetëm tri pikë, në vështirësi sportive dhe institucionale.






