Daku zbulon pse nuk pranoi ofertën e një klubi të Serie A: dëshironte vetëm Spartakun

Mirlind Daku synonte t’i bashkohej vetëm Spartakut të Moskës, ndaj vendosi të mos pranonte ofertën e një skuadre të Serie A.

Në një intervistë për “SovSport”, futbollisti shqiptar tregoi se klubi rus ishte zgjedhja e tij e vetme.

Të lidhura

None found

“Kishte oferta të tjera? Po, por pasi pashë Spartakun, doja t’i bashkohesha vetëm atij”, u shpreh Daku.

I pyetur se cili klub nga Italia e kishte kontaktuar dhe nëse ishte një skuadër e mirë, ai u përgjigj: “Serie A. A ishte klub i mirë? Po. A janë mbi mesin e tabelës? Nuk e di”, tha Daku për median ruse, duke qeshur.

Sulmuesi kaloi te Spartaku nga Rubin Kazani për një shifër rekord prej 12 milionë eurosh. Së fundmi, ai ka siguruar edhe një vend në formacionin e ekipit.

Daku shënoi dy herë në ndeshjen kundër ish-klubit të tij. Në Superligën Ruse, ai ka realizuar tri gola dhe ka dhënë një asistim në nëntë paraqitje.

Në të gjitha garat, përfshirë Kupën e Rusisë, futbollisti ka pesë gola dhe dy asistime për Spartakun, të arritura në 482 minuta lojë. Krahas rolit si qendërsulmues, ai është aktivizuar edhe si sulmues i dytë, si dhe një herë në pozicionin e mesfushorit ofensiv.