Ambasada gjermane pas vrasjes së Arlinda Zekajt: Siguria e grave në rrezik duhet të jetë përparësi

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë shprehu pikëllimin e thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, të cilën e cilësoi si tragjike.

Misioni diplomatik u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të dashurve të saj, duke nënvizuar se gratë e kërcënuara duhet të kenë në dispozicion siguri dhe mbrojtje.

Të lidhura

None found

“Çdo grua ka të drejtë të jetojë pa frikë dhe dhunë. Kjo e drejtë duhet të sigurohet përmes përkushtimit të përbashkët dhe veprimeve konkrete”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Sipas saj, kjo ngjarje e rëndë dëshmon se femicidi nuk përbën një episod të veçuar, por është një problem serioz shoqëror dhe forma më ekstreme e dhunës ndaj grave, ndaj të cilit duhet përgjigje e vazhdueshme dhe e koordinuar. Mbrojtja e grave në rrezik, shton ambasada, duhet të jetë prioritet i përbashkët, me masa parandaluese efektive, ndërhyrje institucionale në kohë dhe shërbime mbështetëse të qasshme.

Ambasada rikujtoi se Kosova është palë e Konventës së Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Po ashtu, ajo u bëri thirrje të gjithë aktorëve përkatës të intensifikojnë punën për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes dhe përhapjen e një kulture që nuk e pranon dhe nuk e shpërfill dhunën.


Shtuar më 27.10.2026 17:36