Një grup njerëzish u godit nga një makinë pak para mesnatës në Neustadt am Rübenberge, qytet në Saksoninë e Poshtme, në veri të Gjermanisë. Lajmin e konfirmoi një zëdhënës i policisë lokale.
Sipas dëshmitarëve, një automjet BMW u drejtua qëllimisht drejt grupit. Përplasja shkaktoi plagosjen e katër deri në pesë personave, të cilët pësuan dëmtime nga të lehta deri në serioze.
Të lidhura
None found
Të gjithë të lënduarit u transportuan për të marrë trajtim në spital. Autoritetet bënë të ditur se asnjëri prej tyre nuk ndodhej në rrezik për jetën.
Mediat lokale raportuan se ngjarja u shënua gjatë një kontrolli trafiku.
Pas incidentit, autori ose autorët e dyshuar braktisën automjetin në vendngjarje dhe u larguan në këmbë. Policia nuk arriti t’i ndalonte, ndërsa përpjekjet e para për gjetjen e tyre nuk dhanë rezultat.
Motivi i përplasjes ende nuk është përcaktuar. “Kronologjia e aktit dhe shkalla e saktë e përfshirjes së individëve janë ende objekt hetimesh”, deklaroi zëdhënësi i policisë.
Informacionet paraprake të hetuesve sugjerojnë se personat e përfshirë mund të kenë pasur njohje me njëri-tjetrin. Dyshohet gjithashtu se grupi është përzgjedhur dhe goditur me dashje, e jo rastësisht.







