Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uruan Listën Studentore për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Ata deklaruan se institucionet e Bashkimit Evropian janë të gatshme të ndihmojnë vendin në rrugëtimin e tij drejt anëtarësimit në BE.
“Jemi të gatshëm të mbështesim reformat në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, si dhe të punojmë së bashku për realizimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, thanë Kosta dhe von der Leyen në një postim të përbashkët në X.
Të lidhura
None found
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cilësoi rezultatin zgjedhor si mundësi për hapjen e një etape të re në raportet mes Serbisë dhe Brukselit.
“Për Serbinë mund të fillojë një kapitull i ri. Dyert e BE-së janë të hapura dhe jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”, u shpreh Kos në një deklaratë me shkrim.
Ajo përgëzoi Listën Studentore dhe tha se qytetarët serbë e bënë zërin e tyre të dëgjohej përmes pjesëmarrjes në zgjedhje në numër historik. Sipas saj, votimi u zhvillua pas pothuajse dy vjetësh protesta për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.






