Analistët: Dakordimi VV-PDK për Presidenten ishte i imponuar dhe nuk premton bashkëpunim të qëndrueshëm

Marrëveshja mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës për zgjedhjen e Presidentes së Kosovës e largoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por analistët politikë nuk besojnë se ajo shënon nisjen e një bashkëpunimi afatgjatë mes VV-së dhe PDK-së. Sipas tyre, dakordimi erdhi si pasojë e presionit të rrethanave, ndërsa përplasjet politike në Kuvendin e Kosovës pritet të vazhdojnë.

Të lidhura

None found

Takimet e drejtpërdrejta mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, nuk prodhuan marrëveshje. Megjithatë, kur vendi ndodhej në orët vendimtare dhe mungesa e një dakordimi rrezikonte ta çonte Kosovën në zgjedhje, të dy liderët arritën marrëveshje për emrin e Presidentes.

Analistët vlerësojnë se ky dakordim ishte i kufizuar vetëm te çështja e Presidentes dhe nuk përbën një marrëveshje politike mes dy partive për hapat e ardhshëm të Kuvendit, raporton RTV Dukagjini.

Shkodran Ramadani e ka cilësuar marrëveshjen si një dakordim të imponuar nga situata, duke thënë se ajo nuk krijon bazë për ndërtimin e një platforme të përbashkët mes PDK-së dhe VV-së. Sipas tij, bëhet fjalë vetëm për një episod të radhës në përplasjet politike mes këtyre dy subjekteve.

Ramadani ka shprehur gjithashtu dyshime për sinqeritetin e ofertës së Kurtit për Justina Shiroka-Pulën si Presidente. Ai vlerëson se kryeministri mund të ketë llogaritur që PDK-ja të mos e votonte këtë propozim, duke synuar të përfitonte në tri drejtime: t’ia atribuonte PDK-së përgjegjësinë për shkuarjen në zgjedhje, të zbehte stigmën e tij anti-UÇK përmes votimit të ligjit dhe ta linte PDK-në pa kauzë politike.

Pas shmangies së zgjedhjeve, njohësit e zhvillimeve politike presin një normalizim të funksionimit të shtetit.

Basri Muja ka deklaruar se Kuvendi pritet të përqendrohet në miratimin e ligjeve të reja, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe mbikëqyrjes së Qeverisë, si dhe në çështje të tjera me rëndësi nacionale. Ai ka theksuar se kjo nuk do të thotë se betejat politike kanë përfunduar, por se situata e përgjithshme mund të hyjë në një fazë normalizimi.

Të martën, Kosova zgjodhi Presidenten e re të shtetit, Justina Shiroka-Pula, në një seancë të jashtëzakonshme, pasi Albin Kurti dhe Bedri Hamza u dakorduan për emrin e saj.


Shtuar më 7.10.2026 20:04