Albulena Haxhiu, e cila mbajti detyrën e ushtrueses së Presidentes së Kosovës, ka bërë të ditur se sot ia ka kaluar përgjegjësitë Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka-Pula.
Të lidhura
None found
Në një postim të publikuar pas dorëzimit të detyrës, Haxhiu theksoi se postet shtetërore janë të përkohshme, ndërsa përgjegjësia ndaj vendit nuk përfundon.
“Detyrat shtetërore na besohen për një kohë, por përgjegjësia për vendin mbetet e përhershme. Me këtë bindje, sot ia dorëzova detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Presidentes së zgjedhur, Justina Shiroka Pula”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo u shpreh mirënjohëse që pati rastin t’i shërbente Republikës së Kosovës edhe përmes kësaj përgjegjësie.
“Ndihem e nderuar që pata mundësinë t’i shërbej Republikës edhe në këtë detyrë. Mirënjohjen më të thellë e kam për njerëzit që më besuan dhe më pritën me ngrohtësi”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka vlerësuar se Presidentja e re e nis mandatin në një moment që kërkon qasje të matur politike dhe bashkëpunim mes institucioneve.
Ajo ka nënvizuar se përplasjet politike janë të natyrshme në një sistem demokratik, por duhet të ndihmojnë në zhvillimin e debatit dhe në marrjen e vendimeve më të dobishme.
“Përgjegjësia jonë është të bëjmë që ato të shërbejnë për debat e vendime më të mira, duke ruajtur aftësinë për t’u marrë vesh për çështjet nga të cilat varet e ardhmja e Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
Në përmbyllje, ish-presidentja në detyrë i ka uruar suksese Justina Shiroka-Pulës dhe ka shprehur vullnetin për bashkëpunim institucional.
“Suksesi në përmbushjen e përgjegjësive të saj do t’i shërbejë Kosovës, forcimit të pozitës së saj ndërkombëtare dhe besimit të qytetarëve në shtetin e tyre”, ka përfunduar Haxhiu.






