Gjatë periudhës 5–11 tetor, në kuadër të fushatës ndërkombëtare të ROADPOL-it “Focus on the Road”, Ministria e Punëve të Brendshme po kryen kontrolle të shtuara në trafik. Fokusi i tyre është përdorimi i kundërligjshëm i telefonave celularë, kufjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike nga pjesëmarrësit në trafik.
Të lidhura
None found
Sipas MPB-së, aksioni po zhvillohet paralelisht në 34 shtete evropiane. Nisma synon të zvogëlojë rreziqet që vijnë nga shpërqendrimi dhe të kontribuojë në rritjen e sigurisë së të gjithë personave që qarkullojnë në rrugë.
MPB thekson se dërgimi i mesazheve, zhvillimi i bisedave telefonike, shikimi i njoftimeve apo përdorimi i rrjeteve sociale gjatë drejtimit e largojnë vëmendjen e shoferit nga rruga. Sipas institucionit, mjaftojnë vetëm disa sekonda pakujdesi që një rrezik të mos konstatohet në kohë dhe reagimi të jetë i vonuar.
Ministria e Punëve të Brendshme u kërkon të gjithë pjesëmarrësve në trafik të tregojnë përgjegjësi dhe të qëndrojnë tërësisht të përqendruar gjatë udhëtimit. “Mos lejoni që një vështrim në ekran të shndërrohet në shkak të një tragjedie rrugore. Drejtoni me kujdes, kushtojini vëmendje rrugës dhe telefonin lëreni për më vonë”, apelojnë nga MPB.
