Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka reaguar për situatën politike në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e ka cilësuar të turpshëm vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Të lidhura
None found
Sela ka rikujtuar se, gjatë përpjekjeve për të shpjeguar zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut dhe mënyrën e kapërcimit të ngërçit politik, kishte thënë se faktorët politikë shqiptarë duhet të nisin nga refuzimi i mekanizmit përmes të cilit klasa politike maqedonase e përdor deputetin shqiptar. Sipas tij, përfaqësuesit e popullit shndërrohen kështu në instrumente kundër interesave të qytetarëve.
Ai thekson se ky mekanizëm lidhet vetëm me joshjen përmes pushtetit, ndërsa zgjidhja, sipas tij, është çlirimi nga varësia ndaj pushtetit dhe rikthimi te nevojat e demosit si entitet.
Sela shprehet se kjo dukuri ka prekur mbarë shoqërinë shqiptare, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, por edhe në Kosovë, e cila, sipas tij, në ditët e sotme përbën një zhgënjim të madh.
“Është vërtet e turpshme shpallja e Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së. Por turpi i kalkulimeve për pushtet nga klasa politike në Kosovë, pa asnjë përjashtim, në një moment kur nevojitet më shumë se kurrë unitet, e tejkalon shumëfish këtë turp”, ka shkruar Sela.
