Mbrëmjen e sotme, NP “Rrugët e Maqedonisë” bëri me dije se erërat e forta kanë shkaktuar rënien e disa semaforëve, shtyllave të ndriçimit dhe drurëve në disa akse rrugore, ndërsa ekipet po i largojnë menjëherë nga rruga.
Në aksin rrugor A2 Gostivar – Strazhë – Kërçovë, konkretisht në kryqëzimin e Gostivarit, era e fortë nga drejtimi jugperëndimor rrëzoi një semafor dhe një shtyllë ndriçimi. Ekipet e NP “Rrugët e Maqedonisë” i hoqën menjëherë nga rruga. Po në këtë aks, në disa pika kishin rënë drurë mbi rrugë, të cilët u pastruan nga skuadrat kujdestare të ndërmarrjes.
Të lidhura
None found
Në aksin rajonal R1206 Tetovë – Shkup, si pasojë e erës së fortë, kanë rënë drurë në rrugë. Skuadrat kujdestare të NP “Rrugët e Maqedonisë” janë në terren për t’i hequr drurët dhe për të rikthyer qarkullimin normal.
Në aksin Shkup – Tetovë, përpara Karpallakut, erërat e forta rrëzuan një dru, i cili gjithashtu u hoq nga rruga.
Për shkak të motit, përdoruesit e rrugës këshillohen të jenë të kujdesshëm në vozitje, ta përshtatin shpejtësinë me gjendjen e rrugës dhe të ndjekin sinjalistikën e vendosur të komunikacionit.







