Gjatë vizitës së Presidentit kinez Xi Jinping në Uashington, bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, u shfaq në një rol të veçantë, duke përcjellë një imazh më të afërt dhe njerëzor të Kinës. Paraqitja e saj erdhi në një periudhë kur marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit përballen me tensione të shumta, që nga tregtia dhe inteligjenca artificiale deri te çështja e Tajvanit.
Të lidhura
None found
Një prej momenteve të vizitës ishte takimi i saj me Zonjën e Parë të SHBA-së, Melania Trump, me të cilën Peng komunikoi në anglisht pa praninë e një përkthyesi. Ajo mori pjesë edhe në një aktivitet kulturor në Muzeun Kombëtar të Artit Aziatik Smithsonian, ku një kor fëmijësh interpretoi për të këngën tradicionale kineze “Lulja e Jaseminit”. Pas këngës, fëmijët e përshëndetën me fjalët: “Faleminderit, Nënë Peng!”.
E veshur me një variant bashkëkohor të kostumit tradicional kinez, Peng duartrokiti fëmijët pas performancës së tyre.
Ambasadorja kineze në SHBA, Xie Feng, publikoi në platformën X një video nga aktiviteti dhe theksoi se Peng u kishte bërë thirrje adoleshentëve amerikanë të vijonin të mësonin gjuhën dhe kulturën kineze. Sipas saj, të rinjtë duhet të shërbenin si “ambasadorë të miqësisë” ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Reuters e ka cilësuar këtë angazhim si pjesë të “fuqisë së butë” të Kinës, përmes së cilës Pekini synon të paraqesë një dimension më njerëzor të vendit, përtej përplasjeve diplomatike me Uashingtonin.
Joe Mazur, analist gjeopolitik pranë kompanisë konsulente Trivium China, me seli në Pekin, tha se Peng “ndihmon në dhënien e një fytyre më njerëzore një diplomacie përndryshe të vështirë dhe krijon momente të ndjenjës pozitive në marrëdhëniet SHBA-Kinë”.
Megjithatë, në mediat sociale kineze, aktivitetet dhe veshjet e Peng gjatë qëndrimit në SHBA morën shumë më pak vëmendje. Kjo lidhet me ndjeshmërinë që shoqëron diskutimet publike për jetën private të figurave më të larta politike të Kinës.
Tradicionalisht, bashkëshortet e liderëve të lartë kinezë kanë mbajtur një profil të rezervuar. Një nga arsyet lidhet me historinë e Chiang Ching, gruas së Mao Ce Dunit dhe një prej figurave kryesore të “Bandës së të Katërve”, e cila pati ndikim të madh gjatë Revolucionit Kulturor.

Për rolin e saj në persekutimet e Revolucionit Kulturor, Chiang Ching u dënua me vdekje në vitin 1981, por dënimi u zbut më vonë.
Peng Liyuan ishte një emër i njohur në Kinë shumë përpara se Xi Jinping të ngjitej në nivelet më të larta të politikës. Ajo është soprano dhe këngëtare e njohur, ndërsa ka interpretuar edhe si këngëtare ushtarake.
Gjatë viteve 2000, ndërsa Xi Jinping avanconte në hierarkinë politike, mediat kineze nisën të kishin më shumë hapësirë për të raportuar mbi daljet publike të Peng.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2007 për një revistë shtetërore, ajo e përshkroi lidhjen me Xi-në në terma familjarë. Peng tha se, kur ai kthehej në shtëpi, ajo nuk e shihte si një udhëheqës, por thjesht si bashkëshortin e saj.
Peng është angazhuar edhe në mbështetjen e disa kauzave sociale, mes tyre çështje që lidhen me personat që jetojnë me HIV/AIDS.
Ajo është gruaja e dytë e Xi Jinping dhe së bashku kanë një vajzë, e cila ka studiuar në Universitetin e Harvardit. Xi ishte divorcuar më herët nga bashkëshortja e tij e parë, vajza e një diplomati kinez.
