Dy persona, Z.M. (34) dhe A.T.G. (30), të dy nga Komuna e Novo Sellës, janë kallëzuar penalisht nga SPB Strumicë pranë Prokurorisë Themelore Publike në Strumicë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale „prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve“, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të MPB-së, pas një marrëveshjeje paraprake mes tyre, të dyshuarit kishin zgjedhur një pjesë të fshehur të një parcele në vendin e quajtur „Matnik“, në zonën e fshatit Sekirnik, rrethinë e Strumicës, ku kishin punuar tokën, mbjellë dhe kultivuar kërcej të bimës së kanabisit.
Me urdhër të gjykatës, policët e SPB Strumicë kanë kryer veprime operative dhe masa të veçanta hetimore, me mbështetje teknike nga ana e policëve të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Lindje. Gjatë këtyre veprimeve, u siguruan prova që implikojnë të dyshuarit në kultivimin e kërcejve të mbjellë të kanabisit, pas së cilës ata u privuan nga liria dhe u mbajtën në Stacionin Policor të Strumicës.
Gjatë bisedës zyrtare, ata kanë pranuar se fillimisht kishin siguruar farat e bimës së kanabisit, pastaj kishin punuar tokën dhe kishin krijuar një „plantacion“ ilegal, ku në maj të vitit 2026 kishin mbjellë farat dhe kishin kultivuar bimët me qëllim të prodhimit të marihuanës.
Personave të kallëzuar u janë sekuestruar disa kërcej me lartësi të ndryshme, pesha totale e të cilëve arrin rreth 680 kilogramë. Pas ngritjes së kallëzimit penal, Z.M. dhe A.T.G. u nxorën para gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore në Strumicë, njoftojnë nga MPB-ja.
