Zgjidhja e Kontratës së Koncesionit për Aeroportin e Vlorës ka hyrë në fuqi, pasi Arbitrazhi i Emergjencës nuk pranoi kërkesën kryesore të VIA-s për pezullimin e saj. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në njoftimin për mediat, MIE sqaron se më 16 shtator 2026, Arbitri i Emergjencës lëshoi Urdhrin në procedurën e arbitrazhit të urgjencës, të iniciuar nga VIA, koncesionari i Aeroportit të Vlorës.
Të lidhura
None found
Sipas ministrisë, dy nga tri kërkesat e paraqitura nga VIA u hodhën poshtë tërësisht. Mes tyre ishte edhe pretendimi kryesor i kompanisë, që synonte pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.
Arbitri refuzoi si kërkesën për ndalimin e zgjidhjes së kontratës, ashtu edhe atë për pezullimin e zbatimit të Njoftimit për Zgjidhje. MIE deklaron se Arbitri mbështeti qëndrimin e saj se as kontrata dhe as provat e dorëzuara nuk krijonin një bazë të mjaftueshme ligjore për vendosjen e një mase të tillë.
Po ashtu, nuk u pranuan kërkesat që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të detyrohej të përfshihej në ndërmjetësim dhe të caktonte një ndërmjetës. U rrëzua gjithashtu kërkesa e VIA-s për ta shtyrë me dy muaj të tjerë nisjen e arbitrazhit.
Me refuzimin e këtyre pretendimeve, mosmarrëveshja mund t’i kalojë menjëherë tribunalit të arbitrazhit. Ministria ka deklaruar se në këtë fazë do të vijojë ta mbrojë me vendosmëri pozicionin e saj.
Masa e vetme e miratuar nga Arbitri është ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së. Deri në ngritjen e tribunalit të arbitrazhit dhe në momentin kur ky i fundit të mund ta shqyrtojë çështjen, MIE nuk do të ushtrojë përkohësisht disa të drejta që lindin pas zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit.
Ministria nënvizon se kjo masë ka karakter afatshkurtër dhe nuk ndikon te vlefshmëria apo efektshmëria e zgjidhjes së kontratës. Ajo do të zbatohet vetëm derisa tribunali i arbitrazhit të konstituohet dhe të jetë në gjendje të trajtojë çështjen.
Në Urdhrin e tij, Arbitri i Emergjencës ka përcaktuar gjithashtu që VIA të paguajë shpenzimet e procedurave të arbitrazhit të urgjencës.
MIE e konsideron këtë vendim një dështim të qartë të VIA-s për të marrë masën që përbënte thelbin e kërkesës së saj. Sipas ministrisë, kompania synonte të ndalonte hyrjen në fuqi të zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit dhe, përmes një procesi të zgjatur ndërmjetësimi, të vononte nisjen e arbitrazhit, por nuk realizoi asnjërin prej këtyre synimeve.
Vendimi, sipas MIE-së, i hap rrugë përgatitjes së hapave të mëtejshëm që burojnë nga zgjidhja e Kontratës së Koncesionit dhe që ministria i cilëson të domosdoshëm për mbrojtjen e interesit publik. Gjatë këtij procesi do të respektohet masa e kufizuar dhe afatshkurtër, e vendosur deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit.
Në zbatim të vendimit të Arbitrit të Emergjencës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se do ta informojë VIA-n se zgjidhja e Kontratës së Koncesionit është tashmë në fuqi.
