Banorët e Divjakës kanë vijuar protestën e tyre për të 48-ën ditë pa ndërprerje, duke kërkuar që qyteti të ruajë statusin e bashkisë dhe duke kundërshtuar projektin e ri për ndarjen administrative.
Gjatë tubimit, folësit kanë shprehur kritika për mungesën e mbështetjes nga administrata, fermerët dhe bizneset e zonës. Sipas tyre, disa prej tyre nuk angazhohen në protestë për shkak të frikës nga pasojat apo hakmarrja.
Të lidhura
None found
Protestuesit kanë kundërshtuar edhe qëndrimin e të zgjedhurve vendorë dhe përfaqësuesve politikë të zonës. Ata deklarojnë se riorganizimi i propozuar në 46 bashki mund të çojë në zhdukjen e Divjakës si njësi më vete.
Banorët i kanë bërë thirrje kryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë që të tërhiqen nga ajo që e quajnë “projekti Mazniku”. Po ashtu, ata kanë kundërshtuar zhvillimin e dëgjesave publike pa praninë e anëtarëve të komisionit dhe deputetëve të zonës.
Pas përfundimit të protestës, qytetarët kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit duke brohoritur sloganet “Divjaka bashki” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e tradhtarëve”.
Marshimi shënoi përfundimin e natës së 48-të të protestës qytetare në Divjakë, ndërsa banorët kanë deklaruar se do ta vijojnë qëndrimin e tyre në shesh.
