Përmes një video në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me çmimin e lartë të karburantit në Shqipëri dhe ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në ekonominë familjare dhe bizneset.
Sipas Tabakut, shtrenjtimi i karburantit reflektohet në çdo hallkë të ekonomisë, duke rritur kostot e transportit, çmimet e produkteve bujqësore dhe shpenzimet e bizneseve.
Të lidhura
None found
Tabaku argumentoi se niveli i lartë i çmimit nuk lidhet vetëm me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, por kryesisht me faktorë të brendshëm. Si shkak të parë ajo renditi peshën e lartë të taksave.
“Rreth 60% e çmimit të karburantit janë taksa që shqiptarët i paguajnë në pompë për çdo litër. Kjo e rendit çmimin e karburantit në Shqipëri ndër më të lartët në rajon, madje edhe ndër më të lartët në Europë”, u shpreh Tabaku.
Një tjetër problem, sipas saj, është përqendrimi i tregut dhe fakti që kompani të caktuara kontrollojnë disa hallka të zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit.
“Arsyeja e dytë lidhet me tregun dhe monopolet, me faktin se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve zotërojnë të gjitha hallkat e zinxhirit”, theksoi deputetja e PD-së.
Tabaku kritikoi gjithashtu mungesën e kontrollit dhe të mbikëqyrjes shtetërore, duke deklaruar se karburanti është kthyer në një produkt luksi dhe se çmimet po i shtyjnë qytetarët të furnizohen jashtë vendit.
“Mungesa e kontrollit dhe e mbikëqyrjes nga shteti e ka bërë karburantin në Shqipëri një produkt luksi. Ky sistem i tregtimit me pakicë e ka kapur prej fyti ekonominë dhe sektorët kryesorë”, deklaroi ajo.
Në përfundim, Tabaku kërkoi ndryshimin e sistemit aktual, i cili, sipas saj, rëndon qytetarët, fermerët, prindërit dhe bizneset.
“Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë. Është sistemi nga i cili vuan qytetari shqiptar, fermeri dhe prindërit që paguajnë më shtrenjtë karburantin. Ky sistem duhet ndryshuar dhe është një prej arsyeve për të cilat qytetarët protestojnë prej më shumë se 100 ditësh”, përfundoi Tabaku.
DEKLARATA:
Çmimi i karburantit është një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve. Sot të gjithë paguajmë më shtrenjtë: nga transporti i fëmijëve te produkti në fermën e fermerit dhe te çdo biznes që detyrohet të rrisë çmimet për shkak të rritjes së kostos së karburantit.
Kjo rritje nuk është aq e importuar, sesa shkaktohet nga faktorë të brendshëm.
Së pari, janë taksat. Rreth 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksat, duke e renditur çmimin e karburantit në Shqipëri ndër më të lartët në rajon, madje edhe ndër më të lartët në Europë.
Arsyeja e dytë lidhet me tregun dhe monopolet, si edhe me faktin se një pjesë e madhe e këtyre bizneseve zotërojnë të gjitha hallkat e zinxhirit.
Arsyeja e tretë është mungesa e kontrollit dhe e mbikëqyrjes nga shteti, duke e kthyer karburantin në Shqipëri në një produkt luksi dhe duke i detyruar shqiptarët të furnizohen përtej kufirit.
Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë. Është sistemi i tregtimit me pakicë, nga i cili vuan qytetari shqiptar, fermeri dhe çdo prind që paguan më shtrenjtë për karburantin.
Ky sistem e ka kapur prej fyti ekonominë dhe sektorët kryesorë të saj. Duhet të ndryshojë dhe kjo është një prej arsyeve për të cilat qytetarët protestojnë prej më shumë se 100 ditësh.
