Siljanovska-Davkova në Bruksel: BE-ja duhet të zbatojë të njëjtat rregulla për të gjitha vendet kandidate

Në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar sot në Bruksel nga Euronews, mori pjesë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Në fjalën e saj, ajo u ndal te rrugëtimi evropian i vendit dhe çështja e ndryshimeve kushtetuese.

Duke vijuar diskutimin pas fjalës së kryeministrit kroat Plenkoviç, Siljanovska-Davkova nënvizoi se RMV-ja kërkon të trajtohet njësoj si kandidatët e tjerë, me rregulla dhe standarde të njëjta për të gjithë.

Të lidhura

None found

Ajo e përshkroi Bashkimin Evropian si një bashkësi të mbështetur te vlerat dhe parimet, e jo thjesht si një mekanizëm politik e burokratik. Presidentja iu referua përcaktimeve të dokumenteve themeluese të BE-së për respektimin e identitetit kombëtar dhe kulturor, duke theksuar se larmia përbën një vlerë themelore të unitetit evropian.

Në këtë kontekst, Siljanovska-Davkova solli në vëmendje opinionin e Komisionit Badinter të vitit 1992. Ky opinion vlerësonte se Sllovenia dhe Maqedonia i përmbushnin kriteret për njohje ndërkombëtare, sidomos sa i përket rendit kushtetues dhe garantimit të të drejtave të njeriut e të pakicave.

Presidentja ngriti pyetjen se përse, më shumë se tre dekada më vonë, njëri vend është pjesë e Bashkimit Evropian, kurse tjetri vazhdon të presë perspektivën evropiane. Sipas saj, kjo situatë pasqyron mungesë vullneti politik nga fqinjë të caktuar.

Lidhur me ndërhyrjet në Kushtetutë, ajo rikujtoi se Marrëveshja e Prespës në vitin 2018 solli ndryshimin e emrit kushtetues të vendit. Qytetarëve, tha ajo, iu paraqit atëherë se ky ishte kushti i fundit që pengonte përparimin drejt integrimit evropian.

Siljanovska-Davkova bëri të qartë se nuk mund të garantojë përmbushjen e kërkesës së përsëritur për një tjetër ndryshim të Kushtetutës, e cila deri tani ka pësuar 36 ndryshime, më së shpeshti nën trysni të jashtme. Ajo shpjegoi se vendimmarrja i takon Parlamentit, ndërsa legjitimitetin e saj si presidente e merr nga qytetarët.