Nvidia ka bërë të ditur se do të furnizojë gjeneratën e ardhshme të kompjuterëve, duke zgjeruar ndjeshëm praninë e saj në tregun e laptopëve me Windows 11.
Pas shpërthimit të inteligjencës artificiale, Nvidia u kthye në një nga emrat më të përfolur në teknologji, pasi GPU-të e saj u bënë shumë të kërkuara nga qendrat e mëdha të të dhënave që përdoren për AI. Si pasojë, vlera e kompanisë në treg u rrit ndjeshëm. Më herët, Nvidia ishte e njohur kryesisht në botën e video-lojërave, ku shiste karta grafike për përdoruesit që ndërtonin kompjuterë gaming me performancë të lartë.
Të lidhura
None found
Tashmë kompania po rikthehet me forcë në tregun e kompjuterëve personalë përmes RTX Spark, çipit të parë të Nvidia-s të projektuar për laptopë konsumatorësh. Ky hap konsiderohet i rëndësishëm sepse Spark mbështetet në teknologjinë Arm, dhe jo në arkitekturën tradicionale që përdorin rivalë si Qualcomm apo Intel, ndërsa bashkë me AMD ata furnizojnë shumicën e laptopëve me Windows 11.
Për zhvillimin e RTX Spark, Nvidia ka bashkëpunuar me MediaTek, që është rivali i Qualcomm në tregun e çipave për pajisje mobile. Çipi i ri përfshin 20 bërthama CPU, 6,144 bërthama GPU dhe 128GB RAM, çka e vendos atë në një nivel shumë të lartë fuqie për laptopë. Sidoqoftë, gjatë prezantimit në Computex, panairin e teknologjisë në Taipei, Nvidia nuk publikoi ende të dhëna konkrete për performancën apo rezultate benchmark.
Që prej vitit 2020, kur Apple prezantoi çipin e saj të parë M, gjithashtu të bazuar në Arm, prodhuesit e çipave për PC kanë tentuar të arrijnë standardin e vendosur prej saj. Apple dëshmoi se një laptop mund të ofrojë njëkohësisht bateri që zgjat gjithë ditën dhe performancë shumë të mirë. Tani Nvidia kërkon të provojë se mund të rivalizojë Apple edhe në këtë segment.
Sipas kompanisë, RTX Spark është ndërtuar për inteligjencë artificiale, krijimtari dhe gaming, duke sjellë teknologjitë më të avancuara të Nvidia-s në laptopë të hollë Windows me bateri që zgjat gjithë ditën, si edhe në desktopë të vegjël e shumë efikasë.
Ky çip pritet të përdoret në kompjuterë të rinj nga disa prej kompanive më të mëdha të industrisë, mes tyre ASUS, Dell, HP, Lenovo, Microsoft, MSI, Acer dhe GIGABYTE.
Modeli kryesor i prezantuar me RTX Spark është Microsoft Surface Laptop Ultra, një pajisje që pasqyron bashkëpunimin mes Microsoft dhe Nvidia për të sfiduar MacBook Pro në segmentin premium të laptopëve. Megjithatë, çmimet e pajisjeve që do të përdorin RTX Spark nuk janë bërë ende publike.
Duke pasur parasysh se suksesi më i madh i Nvidia-s vjen nga inteligjenca artificiale, nuk është surprizë që edhe RTX Spark është ndërtuar rreth AI. Microsoft, madje më shumë se Apple, ka investuar fuqishëm në këtë drejtim përmes markës Copilot, e cila tashmë është e integruar në Windows 11. Madje, laptopët e rinj Windows kërkohet të kenë edhe një buton të dedikuar Copilot në tastierë.
Nvidia thotë se Spark do t’i bëjë laptopët Windows më të lidhur me mjetet e inteligjencës artificiale që përdoruesit tashmë i përdorin çdo ditë.
“The PC is being reinvented”, deklaroi Jensen Huang, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s. Sipas tij, për dekada me radhë përdoruesit kanë hapur aplikacione, kanë klikuar dhe kanë shkruar, ndërsa me RTX Spark dhe Windows, kompjuteri do të funksionojë më shumë përmes kërkesave të drejtpërdrejta të përdoruesit. Ai e quajti këtë “kompjuterin e ri personal të inteligjencës artificiale”.
Laptopët e parë me RTX Spark pritet të dalin më vonë gjatë vjeshtës. Në fazën fillestare do të ketë gjashtë pajisje premium nga Asus, Dell, HP, Lenovo, MSI dhe Microsoft, ndërsa më pas linja pritet të zgjerohet në rreth 30 laptopë dhe 10 mini-kompjuterë desktop.
Përveç Microsoft Surface Laptop Ultra, Dell prezantoi XPS 16 të ri, ndërsa Asus solli modelet ProArt P16 dhe ProArt P14.
Tashmë mbetet të shihet se me çfarë çmimesh do të dalin këto pajisje në treg. Apple e shet MacBook Air për 1,099 funte, që aktualisht është laptopi më i lirë me çip të serisë M, ndërsa çipa nga e njëjta familje përdoren edhe në iPad Air, i cili nis nga 599 funte. /GazetaExpress/
